Thursday, March 28, 2024

Futja e IRGC-së së Regjimit Iranian në Listën e Zezë Mund të Çojë në Fundin e Diktaturës Klerikale

Nga Struan Stevenson

Shpallja e vendimit të Presidentit Trump për t’i etiketuar Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) si organizatë e huaj terroriste është një tjetër gozhdë në arkivolin e diktaturës së dhunshme klerikale.

Ndërsa sanksionet e rivendosura amerikane po e godasin fort tashmë ekonominë e Iranit, futja e IRGC-së në listën e zezë do të sjellë një grusht me shumë mundësi fatal. IRGC kontrollon pothuajse çdo aspekt të biznesit e industrisë së Iranit, duke mos paguar taksa e duke i kanalizuar fondet drejt xhepave të mullahëve e drejt luftërave dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme e më gjerë. Tashmë do të jetë virtualisht e pamundur për këdo të bëjë biznes me Iranin pa bërë biznes me IRGC-në dhe pa tërhequr zemërimin e amerikanëve për mos-bindje ndaj sanksioneve.

Etiketimi i ushtrisë së një fuqie të huaj si organizatë terroriste është një lëvizje e paprecedent, por që tregon qartë pikëpamjen e administratës Trump se gjurmët e gishtave të IRGC-së janë të dukshme në rastet e vrasjeve, sulmeve me bombë, terrorizmit dhe në financimin e mbështetjen ushtarake të grupeve terroriste në mbarë botën. Presidenti amerikan ka deklaruar se ky etiketim “pranon realitetin se Irani nuk është vetëm një sponsor shtetëror i terrorizmit, por edhe se IRGC merr pjesë në mënyrë aktive, financon dhe promovon terrorizmin si mjet të politikë-bërjes” dhe se çdokush që bën biznes me IRGC-në do të jetë duke “financuar terrorizmin.”

Duke ardhur në vijim të futjes në listën e zezë nga SHBA të Gjeneralit Qasem Soleimani dhe të Forcës jashtë-territoriale iraniane Quds që ai komandon, etiketimi i IRGC-së si organizatë e huaj terroriste është përmbushja e një thirrjeje që është bërë për vite të tëra nga lëvizja kryesore demokratike e opozitës së Iranit, Muxhahedinët e Popullit të Iranit/Mojahedin e-Khalq (PMOI/MEK). Lutja e tyre u shpërfill gjatë dy mandateve të Barack Obamës, mandate gjatë të cilave ai ndoqi një politikë shkatërrimtare paqësimi ndaj regjimit fashist të mullahëve. Fatmirësisht, politika më realiste e administratës aktuale mund të krijojë kushtet e nevojshme për ndryshim regjimi dhe më në fund për liri, drejtësi e paqe për 80 milion qytetarët e shtypur të Iranit.

Struan Stevenson

Struan Stevenson, Koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit, ka përfaqësuar Skocinë në Parlamentin Europian (1999-2014), ka qenë president i Delegacionit të Parlamentit për Marrëdhëniet me Irakun (2009-14) dhe kryetar i Intergrupit Miqtë e një Irani të Lirë (2004-14). Ai është lektor ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme si dhe president i Shoqatës Europiane për Lirinë e Irakut (EIFA).