Maryam Rajavi: Teokracia sunduese e Iranit duhet të izolohet nga komuniteti botëror,
dosjet e saj t’i referohen Këshillit të Sigurisë së OKB-së, dhe udhëheqësit e saj të përballen me drejtësinë për krimet e tyre kundër njerëzimit
“Duke dënuar shkeljet sistematike e të rënda të të drejtave njerëzore nga regjimi teokratik që sundon Iranin, rezoluta e OKB-së konfirmoi përsëri se regjimi i shtyp në mënyrë flagrante të drejtat më themelore të popullit iranian në të gjitha sferat politike, shoqërore dhe ekonomike,” ka thënë Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, duke mirëpritur rezolutën e 65-të të OKB-së e cila dënon abuzimet e të drejtave njerëzore në Iran.
“Regjimi iranian nuk është në asnjë mënyrë kongruent me shekullin e 21-të dhe duhet të izolohet nga komuniteti botëror,” shtoi znj. Rajavi.
Rezoluta e OKB-së thekson “shpeshtësinë alarmuese” të përdorimit të dënimit me vdekje, duke përfshirë edhe ndaj të miturve, “përdorimin e gjerë e sistematik të arrestimit arbitrar,” kushtet e rënda të burgjeve të cilat “u mohojnë qëllimisht të burgosurve aksesin në trajtimin e duhur mjekësor,” dhe “rastet e vdekjeve të dyshimta në burg.”
Duke marrë në konsideratë krimet e tjera e politikat represive të regjimit të cilat rezoluta nuk i numëron, duke përfshirë vrasjet sistematike të kundërshtarëve jashtë vendit, dhe privimin e popullit iranian nga të drejtat për të vendosur vetë për fatin e vendit të tij, për të gëzuar sundimin e ligjit, për të patur akses në gjyqe të drejta, për të patur akses të lirë në informacion, dhe për të formuar sindikata e unione të pavarura për punëtorët, studentët dhe punojnësit e qeverisë, mund të thuhet pa frikë se regjimi iranian është dhunuesi më mizor e agresiv i të drejtave të njeriut në botë sot.
Kështu që komuniteti botëror duhet t’ia referojë dosjet e krimeve të regjimit Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe ta njohë të drejtën e popullit iranian për të rezistuar ndaj një regjimi kaq çnjerëzor.
Znj. Rajavi përsëriti, “Shembulli më i gjallë i shkeljeve të rënda të të drejtave njerëzore në Iran është masakra e të burgosurve politikë në vitin 1988, e kryer nga institucionet dhe udhëheqësit kryesorë të regjimit, të cilët janë ende në pushtet, ende e mbrojnë këtë krim, dhe mbeten të pandëshkuar. Komuniteti botëror ndodhet përballë një sprove monumentale në hetimin dhe ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për këtë krim të madh kundër njerëzimit.”
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
15 nëntor 2018