Friday, March 29, 2024

OKB Gjenevë, 30-Vjetori i Masakrës së Vitit 1988 në Iran

 

E premte, 14 shtator 2018. 30 vjet pas masakrës së 30000 të burgosurve politikë në Iran në vitin 1988, u mbajt një konferencë në zyrat qendrore europiane të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Kjo konferencë ishte sponsorizuar nga Organizatat e mëposhtme Jo-Qeveritare:

 

France Libertes, Fondacioni i Danielle Mitterand

Nonviolent Radical Party, Lëvizja Transnacionale dhe Transpartiake kundër racizmit dhe për miqësinë midis popujve – MRAP

Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat Njerëzore të Grave – WHRIA

International Educational Development – IED

Folësit në këtë konferencë ishin: Ingrid Betancourt, Tahar Boumedra, Laurence Fehlmann Rielle, Juan Garces, Gilbert Mitterrand, Alejo Vidal Quadras, Elizabetta Zamparutti.

Më poshtë vijon një pjesë nga fjalimi i Dr. Alejo Vidal-Quadras

 

Dua të falenderoj organizatorët e kësaj Konference për ftesën e pjesëmarrjes. Për mua është jo vetëm detyrë, por edhe kënaqësi të jem këtu.

Tani që po flasim për 30-vjetorin e Masakrës së 1988-es në Iran, duhet ta kujtojmë të ndjerën Znj. Asma Jahangir, Raportuesen Speciale të OKB-së mbi Situatën e të Drejtave të Njeriut në Iran e cila ndërroi jetë fatkeqësisht në shkurt. Ajo ishte shumë e përkushtuar për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe kishte nxjerrë një raport më 2 shtator 2017 ku i referohej për herë të parë vrasjes së mbi 30,000 të burgosurve politikë në verën e 1988-ës, kryesisht anëtarë e mbështetës të grupit opozitar iranian PMOI (MEK).

Siç e dimë, kjo masakër është ndoshta krimi më i rëndë në historinë moderne të Iranit. Deri sot, asnjë fajtor nuk është arrestuar për këtë mizori të sanksionuar nga shteti. Në të kundërt, shumë prej tyre, që e kanë pranuar madje rolin e tyre në këtë kirm, janë shpërblyer dhe mbajnë sot poste të larta apo ministrore në Iran. Dy prej tyre janë ministri i mëparshëm dhe aktual i drejtësisë. Emërimi i autorit të një krimi kundër njerëzimit si ministër i Drejtësisë është vërtetë një rekord botëror ligësie.

Dy vjet më parë, ne të ISJ-së publikuam një raport pasi i biri i Ajatollahut të Madh Montazeri nxori një regjistrim audio që përmbante bisedimin e të atit me zyrtarë të lartë të regjimit që ishin në krye të këtyre ekzekutimeve masive. Po ta dëgjosh apo të lexosh transkriptin e kësaj bisede dramatike, mund t’i kuptosh përmasat e frikshme të këtij barbarizmi.

Zbulimi i sjellë nga fushata e nisur nga udhëheqësja e opozitës demokratike iraniane, Znj. Maryam Rajavi, për të kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës së 1988-ës, u bë një thirrje zgjimi për komunitetin ndërkombëtar.

Për sa i përket situatës aktuale të të drejtave të njeriut në Iran, mjafton vetëm të shohim numrin e ekzekutimeve të kohëve të fundit. Gjatë presidencës së të ashtu-quajturit të moderuar, Hassan Rouhani, mbi 3500 njerëz janë ekzekutuar në Iran deri tani.

Regjimi i është përgjigjur gjithashtu brutalisht protestave dhe kryengritjeve mbarëkombëtare që filluan në fund të dhjetorit dhe kanë vazhduar në qytete të ndryshme. Mijëra persona janë arrestuar dhe mbi 50 janë vrarë nëpër rrugë. Të tjerë kanë vdekur nën torturë në burg. Nuk është ekzagjerim po ta përkufizojmë këtë regjim si një makinë vrasëse.

Ne në Europë duhet të mbajmë anën e popullit të Iranit. Politika aktuale e BE-së dhe Znj. Mogherini, e cila i mbyll sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut e shtypjes së grave dhe fokusohet vetëm tek biznesi e tregtia, është një turp i madh.