Thursday, March 28, 2024

Raporti i IAEA-s: Regjimi Iranian Ka Shkelur më Tej Paktin Bërthamor të 2015-ës

Regjimi iranian e ka shkelur më tej paktin e tij bërthamor me fuqitë botërore, duke i rritur rezervat e uraniumit të pasuruar e duke e rafinuar atë deri në një pastërti më të madhe se ç’lejohet, ka thënë të premten një raport nga agjensia atomike e Kombeve të Bashkuara.

Raporti tremujor nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila ruan paktin e 2015-ës, konfirmon se regjimi i Iranit po e braktis gjithnjë e më shumë paktin, raporton Reuters.

Regjimi iranian ka thënë se do t’i shkelë një nga një limitet e paktit mbi veprimtaritë e tij bërthamore, duke e rritur kështu presionin mbi palët që shpresojnë ende ta shpëtojnë atë marrëveshje.

Në korrik, IAEA tha se regjimi iranian ka tejkaluar limitin prej 202.8 kg mbi rezervat e uraniumit të pasuruar, si dhe limitin prej 3.67% mbi pastërtinë e rafinimit të uraniumit. Në një përditësim verbal më 10 korrik, IAEA tha se Teherani po e pasuronte uraniumin deri në pastërtinë 4.5% dhe kishte arritur në 213.5 kg rezerva të uraniumit të pasuruar.

Raporti tremujor i së premtes drejtuar shteteve anëtare, i siguruar nga Reuters, thotë se regjimi iranian ka akumuluar 241.6 kg uranium të pasuruar dhe po e pasuron atë afërsisht në të njëjtin nivel si më parë, deri në 4.5%.