Nga Frika e një Bojkoti Mbarëkombëtar, Khamenei e Deklaron Pjesëmarrjen në Zgjedhje si Detyrë dhe Urdhër Fetar

520

Khamenei, Rouhani, dhe këshilltari i Rouhani-t, Hessamoldin Ashena, kanë shprehur frikën e regjimit nga MEK në fjalimet e tyre.

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 19 shkurt 2020.

 Iran: Zgjedhjet False, Nr. 4

Rouhani: bojkoti i zgjedhjeve do ta bëjë të lumtur Amerikën; këshilltari i tij: bojkoti do të çojë në një rritje të veprimtarive të MEK

Dje, Lideri Suprem i regjimit iranian, Ali Khamenei, i tmerruar nga një bojkot mbarëkombëtar i farsës së zgjedhjeve, tha se pjesëmarrja është një detyrë dhe urdhër fetar.

“Zgjedhjet janë xhihad popullor; forcojnë vendin dhe mbrojnë legjitimitetin e sistemit. Prania në zgjedhje dhe votimi është një detyrë fetare, një urdhër fetar. Nuk është thjesht një detyrë nacionaliste e revolucionare…. Kushdo që e pëlqen sistemin duhet të marrë pjesë në zgjedhje,” theksoi ai.

Sot, Hassan Rouhani tha, “Të gjithë duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Askush nuk duhet të thotë se, meqë shokët apo anëtarët e partisë së tij janë skualifikuar, atëherë nuk do të marrë pjesë… Nëse duam të përballemi me Amerikën, duhet të votojmë… Prania jonë do ta zhgënjejë Amerikën ndërsa mungesa jonë do ta bëjë Amerikën të lumtur.”

Këshilltari politik i Rouhani-t, Hesameddin Ashena shkroi, “Mospërfillja ndaj kutisë së votimit nuk është shpërfillje ndaj qeverisë apo Këshillit të Gardianëve. Ajo çon në rritje sanksionesh, në mundësinë e një sulmi ushtarak, dhe në operacione sabotazhi nga MEK.”

Kaq e madhe është shkalla e apatisë publike saqë grupimet e regjimit po flasin hapur për një bojkot të nivelit 85 përqind. Të rinjtë e rebeluar në shumë qytete u kanë vënë flakën posterave të zgjedhjeve dhe kanë shkatërruar disa prej zyrave qëndrore të kandidatëve. Muret nëpër qytete janë të mbuluara me thirrje për bojkot.

Njëkohësisht, regjimi po përpiqet të sigurojë një pjesëmarrje të lartë me anë të mashtrimeve e hileve. Zëdhënësi i Këshillit të Gardianëve, Abbas Ali Kadkhoda’i, tha, “Do të shohim një pjesëmarrje prej 50 përqind.” Më përpara, një nga liderët e grupimit të Khamenei-t, Mostafa Mirsalim, kishte parashikuar një pjesëmarrje 70 përqind.

Në të njëjtën kohë, liderët e regjimit e pohojnë bërjen e hileve në shkallë të gjerë. Më 27 janar, Rouhani pranoi se ka hile si në votim, ashtu edhe në numërimin e votave: “Në fund, kur mblidhen votat, do të bëhet një lëmsh. Shumë zgjedhje ndeshen me probleme kur mblidhen votat.” Më 16 shkurt, zëvendësi i parë i tij Es’haq Jahangiri pohoi se ka njerëz që votojnë me “çertifikata lindjeje të të vdekurve,” “çertifikata lindjeje të rreme,” dhe se me një çertifikatë lindjeje votojnë disa njerëz.

Ditën tjetër, televizioni shtetëror raportoi për blerje votash, falsifikim të fletëve të votimit, dhe dërgimin e njerëzve me autobusë tek qendrat e votimit.” Në të gjitha zgjedhjet, grupimet e ndryshme bien dakord që ta rrisin disa fish numrin e votave.

Nga frika e një kryengritjeje të popullit e rinisë si dhe e veprimtarive të Njësive të Rezistencës, Khamenei ua ka vënë detyrë paraushtarakëve Bassij dhe IRGC-së sigurinë dhe mbrojtjen e zgjedhjeve, duke i vënë në gatishmëri të lartë të gjithë agjentët shtypës. IRGC dhe Basssij do t’i mbikëqyrin votimet në qendrat e votimit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

19 shkurt 2020