Ndërprerjet e Energjisë në Iran: Pamundësia e Regjimit për të Furnizuar Popullin me Elektricitet Ndez një Valë Protestash

333

 Përveç çrregullimit të jetëve të përditshme të njerëzve, ndërprerjet e gjera e të panjoftuara të energjisë elektrike kanë shkaktuar pakënaqësi dhe protesta në qytete të ndryshme në Iran.

Të hënën më 2 korrik, në fillim të stinës së nxehtë verore, konsumimi i energjisë në Iran vendosi një rekord të ri prej 56,000 megavat. Kjo ndodhi ndërkohë që zyrtarët e regjimit kishin shpallur më përpara se centraleve elektrike të vendit po u mbaronte elektriciteti rezervë.

“Ndërkohë që hidrocentralet e vendit kanë një kapacitet prej 12,000 megavat, ne mund të prodhojmë vetëm 6,000 megavat këtë vit,” thotë Maysam Jafarzadeh, drejtor i Zyrës së Menaxhimit të Krizës së Ministrisë së Energjisë, duke u përpjekur të justifikojë ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë dhe paaftësinë e regjimit për të ofruar elektricitet të mjaftueshëm.

Kapaciteti formal i termocentraleve të Iranit është rreth 63,000 megavat. Por ato gjenerojnë vetëm 44,000 megavat edhe pse punojnë në kapacitetin e tyre të plotë.

Kjo situatë ka çuar në ndërprerje të vazhdueshme e të panjoftuara të energjisë në Teheran, në Azerbaixhanin Lindor e Perëndimor, Khuzestan, Fars, Mazandaran, dhe në disa provinca të tjera të Iranit. Kjo ka shkaktuar çrregullimin e jetëve të përdishme të njerëzve dhe një sërë protestash.