30-Vjetori i Masakrës së të Burgosurve Politikë Përkujtohet në Konferencën Ndërkombëtare të Komuniteteve Iraniane

357

Maryam Rajavi ka nxitur Këshillin e Sigurisë së OKB që të ndjekë penalisht fajtorët e masakrës së 1988-ës dhe personat në krye të krimeve për katër dekada në Iran

“Për tre dekada, komuniteti ndërkombëtar ka heshtur mbi masakrën e të burgosurve politikë në Iran. Si rezultat, mullahët kanë vazhduar me pandëshkueshmëri të shkelin të drejtat e njeriut në Iran, të shtypin protestat publike, të organizojnë operacione terroriste, dhe të bëjnë luftëra katastrofike në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera.

Tani, ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj heshtjeje.”

Këto ishin pjesë të komenteve të bëra nga Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, në një konferencë që shënonte 30-vjetorin e 30,000 të burgosurve politikë të masakruar në Iran, konferencë që u mbajt njëkohësisht në 20 kryeqytete të mëdha, të shtunën, më 25 gusht, 2018.

Maryam Rajavi nxiti Këshillin e Sigurisë së OKB-së që të përgatitet për ndjekjen penale të liderëve të regjimit klerikal, të atyre që janë përgjegjës për masakrën e vitit 1988, si dhe zyrtarët në krye të katër dekadave të krimeve kundër njerëzimit në Iran.

Ajo përsëriti se spiunët dhe mercenarët e regjimit duhet të përjashtohen nga vendet perëndimore, dhe duhet t’i jepet fund të gjitha marrëdhënieve me regjimin iranian i cili shfrytëzon burimet diplomatike për të promovuar terrorizëm të sponsorizuar nga shteti. Ajo theksoi se ambasadat e regjimit duhet të mbyllen.

Znj. Rajavi shtoi, “Ka ardhur koha që komuniteti botëror të qëndrojë përkrah popullit të Iranit në kryengritjen e tij kundër regjimit fashist fetar që sundon Iranin dhe ta njohë vendosmërinë e tij për ndryshim regjimi.”

Tubimet e sponsorizuara nga komunitetet iraniane në 20 kryeqytete të mëdha në Francë, Gjermani, Britani, Hollandë, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Zvicër, Itali, Belgjikë, Austri, Rumani dhe Kanada, u bashkuan bashkë në një konferencë video.

Një numër personalitetesh politike, ligjvënësish, përfaqësuesish të zgjedhur, juristësh, dhe personalitetesh të larta fetare, si dhe anëtarë dhe përfaqësues të komuniteteve iraniane në Europë dhe Kanada morën pjesë dhe mbajtën fjalime në konferencë. Një numër dëshmitarësh të masakrës së 1988-ës, familjarësh të të burgosurve të masakruar, si dhe ish-të burgosur politikë dëshmuan gjithashtu në këtë konferencë për krimet çnjerëzore të regjimit iranian.

Në një pjesë tjetër të fjalimit të saj, Maryam Rajavi tha, “Reagimi i regjimit klerikal ndaj disidencës, madje edhe brenda burgjeve ku e ka vetë kontrollin, është ekzekutimi masiv. Çdo protestë apo demonstratë legjitime shtypet përmes arrestimit dhe torturimit të pjesëmarrësve. Në kryengritjet e dhjetorit e janarit të shkuar, cila ishte kërkesa e protestuesve dhe çfarë kishin bërë gabim ata që të torturoheshin për vdekje? Trupat e disave prej tyre u janë dorëzuar familjarëve, duke u thënë se kishin kryer vetëvrasje në burg. Regjimi e kryen krimin dhe ua vë fajin viktimave të torturës e masakrës.”

Znj. Rajavi pyeti, “Përballë një përbindëshi të tillë, a është e drejtë të dorëzohesh, apo të ngrihesh, të rezistosh e të luftosh? Ku ka diktator që nuk e akuzon për terrorizëm rezistencën e drejtë e legjitime të popullit, apo që nuk përpiqet t’i heqë qafe liridashësit e kundërshtarët duke i akuzuar për dhunë? Në të vërtetë, cili diktator, tiran apo despot i ka dhënë fund krimeve për shkak të heshtjes apo dorëzimit të viktimave të tij?”

Maryam Rajavi tha, “Njësitë e rezistencës në Iran ndjekin gjurmët e atyre burrave dhe grave që i thanë jo regjimit dhe u masakruan në vitin 1988. Regjimi klerikal është nën rrethim nga kryengritjet tetë-mujore, nga roli në rritje i PMOI dhe njësive të rezistencës në organizimin dhe drejtimin e revoltave, dhe nga pasojat e një ekonomie në rënie e në mbytje.”

Znj. Rajavi shtoi, “Ndërsa komplotet e fundit terroriste të regjimit kundër PMOI-së po zbardheshin, u vërtetua edhe një herë se terrorizmi është në natyrën e regjimit klerikal. Vështirë të gjendet ndonjë vend në botë që ka mbetur i paprekur nga terrorizmi i regjimit, terrorizëm që shtrihet nga Lindja e Mesme në Europë e deri në SHBA.

“Për të gjetur një rrugëdalje, mullahët tentuan të merrnin në shënjestër tubimin e Rezistencës në Paris më 30 qershor përmes një shpërthimi terrorist. Në mars, ata kishin tentuar të kryenin një tjetër akt terrorist kundër Rezistencës Iraniane në Shqipëri. Dhe në ditët e fundit, inteligjenca dhe veprimtaritë terroriste të mullahëve kundër PMOI në SHBA u zbuluan pas arrestimit të dy agjentëve të tyre në këtë vend. Sërish këtë javë, terrorizmi kibernetik i regjimit klerikal u identifikua dhe u ndalua. Ky rrjet keqdashës që kërkon të prishë komunikimin e sigurtë dhe të përgatisë terrenin për operacione terroriste, duhet të ndalohet një herë e mirë.”

Personalitetet politike, përfaqësuesit e komuniteteve iraniane, dhe dëshmitarët e masakrës së 1988-ës, të cilët folën në këtë konferencë video globale, e nxitën Komunitetin Ndërkombëtar që ta mbështesë kryengritjen e popullit iranian për ndryshim regjimi dhe liri, dhe që të ndërmarrë një politikë decizive kundër regjimit teokratik që sundon iranin.

Ata bënë gjithashtu thirrje për dënimin e terrorizmit dhe të abuzimeve të të drejtave të njeriut nga regjimi iranian, si dhe për ndjekjen penale të organizatorëve dhe ekzekutuesve të masakrës së 1988-ës të cilët janë aktualisht në pozicionet më të larta të regjimit klerikal si dhe të përfshirë direkt në shtypjen e protestave të vazhdueshme anti-qeveritare në Iran.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
25 gusht, 2018