Pesë të burgosur në burgun famëkeq Raja’i Shahr (Gohardasht) të regjimit iranian janë kapur nga rojat e sigurisë gjatë një mësymjeje të dhunshme në Sallën 14 të Godinës 4, dhe janë dërguar në vende të panjohura.
Kjo mësymje, ku ishin të përfshirë edhe anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), ndodhi të shtunën më 10 gusht, pas qarkullimit të një videoje në mediat sociale, ku tregoheshin zyrtarë të burgut pas ekzekutimit të pesë të burgosurve në këtë burg në Karaj, pranë Teheranit.
Vendndodhja e pesë të burgosurve që u morën nga forcat e sigurisë nuk dihet, por ekziston frika se tani ata janë vetë në rrezik ekzekutimi.
Videoja u regjistrua të mërkurën më 7 gusht, në vijim të ekzekutimit të Majid Arabali, Mohammad Reza Shekari, Hossein Panjeh-Maryam dhe Yousef Zakeri në burgun Raja’i Shahr.
Pas ekzekutimit, në zonë sollën një kamion frigorifer për të transferuar trupat.
Irani është numri një në botë për sa i përket ekzekutimeve për kapita. Vetëm në korrik, regjimi vari 39 të burgosur, duke përfshirë katër gra. Njëri nga këta të burgosur u var në publik.
Organet e të drejtave njerëzore të Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar regjimin iranian në 65 raste për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore. Këto shkelje përfshijnë mohimin e të drejtave njerëzore bazë, ndëshkime brutale, si prerja e gjymtyrëve apo rrahja me kamxhik, dhe trajtimin poshtërues të të burgosurve.