Mini Raporti i së Mërkurës për Iranin – 26 Dhjetor 2018

364

Publikuar më 26 dhjetor 2018.

Irani Nuk e Nxjerr Jashtë Ligjit Martesën e Vajzave Nën 13 Vjeç, Ndërsa Vendet Islamike Dalin më Keq nga të Gjithë në Studimin e Përvitshëm të Gjinive

CNS News: Ligjvënësit në Iran kanë refuzuar një propozim për të nxjerrë jashtë ligjit martesën e vajzave të moshës 9 deri në 13 vjeç, vetëm pak ditë pasi gjetjet e një raporti të ri global treguan, edhe një herë, se gratë jetojnë më keq në vendet islamike.

Një ligjvënëse femër që përshkruhet si reformiste, shprehu keqardhje për këtë vendim

i cili u mor nga komiteti parlamentar që merret me punët ligjore e juridike, duke thënë se t’i detyrosh fëmijët të martohen që të vegjël është njësoj sikur “t’i vrasësh ata”.

Nazanin Zaghari-Ratcliffe Do Të Bëhet 40 Vjeç Në Burg Në Iran

Daily Mail: Bamirësja Nazanin Zaghari-Ratcliffe do ta kalojë ditëlindjen e saj të 40-të në burg në Iran. Nëna britaniko-iraniane u arrestua në aeroportin Imam Khomeini të Teheranit në prill 2016 dhe e mbushi këtë moshë të rëndësishme në Boxing Day. Znj. Zaghari-Ratcliffe, banuese në Hampstead në veri të Londrës, është dënuar me pesë vite burg pasi ishte akuzuar për spiunazh, akuzë të cilën ajo e mohon fuqishëm.

ANALIZË: Çfarë na Tregon Raporti i Amnesty për Rekordin e të Drejtave Njerëzore nga Regjimi Iranian?

Reza Shafiee për Al Arabiya: Amnesty International ka publikuar një raport gjithëpërfshirës prej 200 faqesh mbi masakrën e të burgosurve politikë në Iran, 30 vjet pas asaj ngjarjeje. Fokusi kryesor i raportit janë ditët e errëta të masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në Iran në vitin 1988. Po të kishte marrë vëmendjen e duhur ndërkombëtare masakra e 1988-ës në atë kohë, populli iranian nuk do të kishte vuajtur nga abuzime të shfrenuara të të drejtave njerëzore në vitet që pasuan. Mosndëshkimi për krimet e atyre ditëve e ka trimëruar regjimin gjatë viteve deri në atë pikë sa po i rrafshon varret e viktimave në mbarë Iranin.

Përplasja e një autobusi në një kampus universiteti në Teheran lë 10 të vdekur

Një autobus me studentë të Qendrës së Teheranit për Shkencë dhe Kërkim në Universitetin Azad, u përmbys fatkeqësisht, duke lënë të vdekur dhjetë studentë dhe 26 të tjerë të plagosur. Kreu i regjimit iranian për shërbimet e emergjencës tha se ky incident ndodhi në 12:20 mbasdite, me kohën vendase, të martën.

Presidentja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për familjet e atyre që humbën jetën si dhe shpresë për shërim të shpejtë të të plagosurve.

“Më dhemb zemra për studentët që vdiqën në këtë aksident. U shpreh keqardhjen time më të thellë familjeve të tyre, si dhe lutje të sinqerta për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Turp të ketë regjimi i korruptuar i mullahëve, i cili grabit e shpenzon biliona për represion por nuk kujdeset për rrugët e vendit.