Wednesday, February 1, 2023

Mijëra Iranianë Marshojnë në Mbështetje të Rezistencës Nga Departamenti i Shtetit tek Shtëpia e Bardhë

Maryam Rajavi thotë:

  • Mullahët janë shkaku kryesor i luftës e terrorizmit
    • Ata trimërohen kur nuk paguajnë çmimin për krimet e tyre
    • Ata që përfitojnë nga regjimi promovojnë paqësimin
    • Regjimi i mullahëve nuk ka kapacitet për reformim
    • Ne kërkojmë vetëm lirinë dhe të drejtat e njeriut, përgatitjen e terrenit për zhvillim, drejtësi, paqe dhe siguri në Iran e në rajon

Të premten, më 21 qershor 2019, ditën e martirëve e të burgosurve politikë dhe në përvjetorin e rezistencës së popullit iranian kundër fashizmit fetar që sundon Iranin, mijëra iranianë u mblodhën përpara Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington dhe marshuan drejt Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë tubim folën disa personalitete të shquara amerikane, Kongresistët Brad Sherman dhe Tom McClintock, ish Ambasadori amerikan dhe Guvernatori Bill Richardson, Zëvendës Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, Gjenerali Jack Keane, si dhe Senatori Robert Torricelli.

Një numër i madh iranianësh nga shtete të ndryshme të SHBA-së ishin bërë bashkë në këtë tubim për të dënuar shkeljet brutale të të drejtave të njeriut, terrorizmin dhe agresionin e mullahëve. Ata shprehën mbështetje për Rezistencën Iraniane dhe presidenten e zgjedhur të saj, Maryam Rajavi. Demonstruesit shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për njësitë dhe këshillet e rezistencës në Iran.

Në mesazhin e saj para demonstruesve, znj. Maryam Rajavi tha, Gjatë 40 viteve të fundit, mullahët i kanë dhënë popullit iranian adresën e gabuar për armikun në mënyrë që t’i fshiheshin zemërimit të tyre, dhe e kanë quajtur Amerikën si armik. Megjithatë, ne nuk jemi mashtruar asnjëherë nga kjo gjë, dhe për katër dekada, kemi bërë thirrje që ky regjim të përmbyset, të përmbyset, e të përmbyset. Është ironike që tani populli i Iranit thërret kudo se armiku është këtu dhe klerikët gënjejnë kur thonë se është Amerika.

Pretendimi i regjimit për një “Skuadër B” amerikane është thjesht një maskë për “Skuadrën e Bombave” të tyre, shtoi ajo. Shembujt e veprimtarive të tyre malinje përfshijnë tentativa që nisin nga përpjekja për të ndërtuar bomba atomike, e shkojnë deri tek shpërthimi i bombave në Shqipëri e Francë, vënia e bombave në cisternat e naftës në Gjirin Persik, rrëzimi i dronëve amerikanë, sulmet me raketa ndaj Arabisë Saudite, dhe sulmimi i ambasadës amerikane në Bagdad. Kur nuk u kërkohet llogari për krimet e tyre, mullahët trimërohen. Shembuj të gjallë të kësaj janë lëshimi i raketave Katjusha në Mosul e Basra, dhe sulmi me raketë ndaj dronit amerikan.

Duke përsëritur se regjimi klerikal është shkaku kryesor i luftës dhe krizave në rajon, znj. Rajavi tha, “Pyetja e vërtetë lidhur me sjelljen ndaj fashizmit fetar që sundon Iranin është a duhet zgjedhur paqësimi apo rreptësia përballë mullahëve? Pavarësisht faktit që për 40 vite ky regjim ka qenë në luftë me popullin e Iranit dhe me botën, ata që vazhdojnë të përfitojnë nga ai nxisin frikën e një lufte në horizont dhe nuk e lejojnë komunitetin botëror të tregohet deciziv, duke nxitur kështu paqësimin. Bazuar në 40 vite përvojë, regjimi i mullahëve nuk ka asnjë kapacitet për reformim dhe për ndryshim të sjelljes. Khamenei thotë se ndryshimi i sjelljes së regjimit është i barasvlefshëm me ndryshimin e regjimit.”

“Cila është çështja kryesore me të cilën përballet populli i Iranit dhe rezistenca?” konkludoi ajo, “Të dorëzohesh apo të luftosh deri në fund. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa lirinë dhe të drejtat e njeriut, të cilat, sigurisht, përgatisin terrenin për zhvillim, drejtësi, paqe dhe siguri në Iran e në rajon. Ne kërkojmë një Iran pa fazhizëm fetar, një Iran jo-bërthamor, pa terrorizëm e luftënxitje.”

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
21 qershor 2019