Friday, January 27, 2023

BE Vazhdon Paqësimin Ndaj Regjimit Iranian

Nga Shahriar Kia

Gjatë 40 viteve të ekzistencës së tij, regjimi iranian ka planifikuar e kryer sulme terroriste dhe vrasje në mbarë botën. Irani është eksportuesi më i madh në botë i terrorizmit dhe përdor grupe proksi e militantë për të vepruar në emër të tij.

Vitin e shkuar, operativët e inteligjencës në BE parandaluan një komplot terrorist të planifikuar nga regjimi kundër opozitës së tij kryesore. Irani kishte në plan të shpërthente një bombë në tubimin Irani i Lirë që mbahet çdo vit jashtë Parisit. Bomba, po të mos ishte parandaluar nga autoritetet franceze, mund të kishte rezultuar në një numër të madh viktimash.

Ka patur gjithashtu një numër vrasjesh të shënjestruara kundër kundërshtarëve të regjimit iranian në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Një nga kërcënimet më të mëdha aktualisht është mbështetja shumë e gjerë që regjimi iranian u ofron elementëve të ndryshëm në mbarë Lindjen e Mesme. Kjo përfshin mbështetjen për regjimin e Assad-it në Siri dhe për rebelët Houthi në Jemen.

Këtu përfshihet sigurimi i armëve, madje edhe i raketave balistike, dhe njerëzve duke përfshirë inxhinierë dhe personel të forcave speciale. Trupat famëkeqe të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë patur rol thelbësor në këtë mbështetje duke ofruar ekspertizën që u ka mundësuar rebelëve të përparojnë.

Arabia Saudite është marrë në shënjestër nga raketa balistike dhe lundrimi të prodhuara nga Irani. Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) dhe vende të tjera të Gjirit Persik gjenden gjithashtë përballë këtij kërcënimi.

Raketat iraniane balistike dhe të lundrimit mbahen tani nga disa grupe të ndryshme në rajon – Hezbollah në Liban dhe Siri, rebelët Houthi në Jemen dhe KSS në Irak.

Regjimi iranian është përhapur në mbarë rajonin kryesisht sepse e ka lejuar komuniteti ndërkombëtar. Administrata e SHBA-së nën ish-Presidentin Barack Obama ka udhëhequr politika paqësimi ndaj Iranit dhe i ka mbyllur sytë ndaj shumicës së veprimtarisë së tij malinje në rajon. Kjo e ka bërë Iranin më të guximshëm në sjelljen e tij.

Edhe Bashkimi Europian e ka paqësuar regjimin iranian, dhe vazhdon ta bëjë këtë duke kërkuar mënyra për të anashkaluar sanksionet amerikane. Edhe pse zyrtarët e BE-së e dënojnë regjimin iranian, megjithëse në mënyrë të dobët, për sjelljen e tij luftarake, pasiviteti i tyre është në thelb një dritë jeshile për Iranin që të vazhdojë atë që po bën.

Më herët këtë muaj, Ministria e Jashtme gjermane dërgoi përfaqësues në ambasadën iraniane në kryeqytetin e vendit. Ata festuan 40-vjetorin e Republikës Islamike të Iranit. Ky është një turp për Gjermaninë pasi 40 vitet e shkuara në Iran janë nxirë nga mohimi i të drejtave njerëzore, shtypja, dhuna, terrorizmi dhe ekzekutimet masive.

Duke patur parasysh komplotet e vazhdueshme të regjimit iranian në BE, çdo zyrtar i BE-së duhej t’i ishte shmangur një festimi të tillë. Regjimi iranian do t’i japë fund sjelljes së tij të ashpër vetëm atëherë kur ta detyrojnë. Nuk do të bëhet më i moderuar me vullnetin e tij, siç ka treguar historia. I janë dhënë shumë mundësi për këtë por ai i ka refuzuar të gjitha.