Regjimi e fsheh numrin e vërtetë të viktimave dhe këmbëngul që organet represive ta shtypin zemërimin e popullit ndaj neglizhencës së autoriteteve
Ndërkohë që disa rajone të Iranit janë shkatërruar nga përmbytjet e rënda dhe njerëzit nuk mund ta përmbajnë zemërimin ndaj mungesës së ndihmave dhe rolit të autoriteteve në shkatërrimin e infrastrukturës së vendit – gjë që ka kontribuar shumë në përkeqësimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore – Garda Revolucionare (IRGC) dhe organe të tjera represive janë mobilizuar për të parandaluar lëvizjet protestuese popullore në vend që të shpëtojë popullsinë e prekur nga përmbytjet. Në të njëjtën kohë, regjimi po përpiqet ta fshehë numrin e vërtetë të viktimave.
Zëvendës Komandanti i Forcave të Sigurisë së Shtetit, Gjenerali i IRGC-së Ayoub Soleimani, tha sot: “Ruajtja e sigurisë është detyra jonë më e rëndësishme në zonat e shkatërruara (…) Mobilizimi i patrullave fikse dhe të lëvizshme, me bashkëpunimin e Bassij (militantë) dhe IRGC-së, si dhe instalimi i pikave të kontrollit në shumë vende, janë masa që duhet të merren së bashku me të gjitha mjetet e nevojshme për të parandaluar krimet dhe dëmet e mundshme.”
Sot, shiu i dendur dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në shumicën e provincave jugore e perëndimore të Iranit. Në Shiraz, një pjesë e qytetit është përmbytur, duke përfshirë Portën Ghoran dhe Pazarin Vakil, që ndodhen në qendrën historike të qytetit, duke shkaktuar shumë viktima. Ndërkohë që regjimi deklaron shifrën prej 17 të vdekurish, llogaritet që numri i vërtetë i viktimave është shumë më i madh dhe rritet çdo orë. Forca e rrëkeve të ujit ishte aq e madhe saqë mori me vete qindra automjete.
Neglizhenca e dukshme e zyrtarëve e ka bërë deputetin e mullahëve Kouroch Karampour të thotë se ata që janë përgjegjës për keqmenaxhimin e krizës duhet të sillen para drejtësisë.
Kjo nuk është hera e parë që Shirazi përballet me shira kaq të dendur. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ndërtimi i parregulluar i rrugëve e ndërtesave nga IRGC e organe të tjera të regjimit ka rezultuar në prishjen e rrjetit tradicional të ujit të shiut, i cili e ka mbrojtur qytetin për qindra vite, dhe ka lejuar kalimin e ujit përmes portës kryesore të qytetit.
Banorët e Shirazit ngulin këmbë që autoritetet provinciale nuk i kanë marrë seriozisht paralajmërimet e motit dhe nuk i kanë evakuar banorët apo ndaluar trafikun përmes portës Ghoran.
Përveç provincës Fars, dhjetëra njerëz kanë humbur gjithashtu jetën apo janë plagosur në provincat Lorestan, Khushistan, Sistan-Baluchestan, Isfahan, Bushehr, Ilam, Kermanchah, Golestan e në pjesë të tjera të vendit.
Në Sarpol-Zohab, një qytet që u godit nga tërmeti vitin e shkuar, përmbytjet kanë shkatërruar çadrat dhe ndërtesat e parafabrikuara të një popullsie të dëmtuar rëndë që më parë e të shpërfillur nga regjimi.
Situata në qytetin Ahvaz është kritike për shkak të përmbytjes nga lumi Karoun. Kështu edhe në Lorestan, ku lumi Poleh-Dokhtar ka dalë nga shtrati.
Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, Maryam Rajavi, ka shprehur ngushëllimet e saj për popullsinë e prekur dhe i ka bërë thirrje rinisë që të protestojë kundër menaxhimit katastrofik të krizës nga autoritetet, si dhe ta detyrojë regjimin që t’ia vërë në dispozicion popullsisë mjetet dhe pajisjet e IRGC-së në mënyrë që njerëzit të mund të ndërhyjnë vetë për të parandaluar shkatërrime të tjera, sidomos tek diga e Karaj-it, në Teheran dhe në qytetin Karaj.
Znj. Rajavi pohoi se regjimi i mullahëve dhe liderët e tij të korruptuar, si dhe Ushtria Pasdaran (IRGC) i kanë intensifikuar në maksimum pasojat e kësaj përmbytjeje shkatërrimtare përmes shkatërrimit të mjedisit, dhe i kanë kthyer në rrënoja qytetet e fshatrat iraniane duke plaçkitur gjërat që i përkasin popullit e duke i shpërdoruar ato në projekte represioni, terrorizmi dhe lulftënxitjeje, si dhe në programe anti-iraniane bërthamore e raketore, duke mos u ofruar njerëzve as infrastrukturën më minimale për t’u mbrojtur kundër fatkeqësive natyrore si tërmetet e përmbytjet.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
25 mars 2019