Facebook, Twitter, dhe YouTube kanë bllokuar shumë llogari dhe kanale të lidhura me regjimin iranian pak javë më parë. Google bllokoi tridhjetë e nëntë kanale të lidhura me organizatën kombëtare televizive të Iranit (IRIB) në YouTube, dhe Facebook mbylli 562 faqe që besohej se i përkisnin regjimit iranian.
Gjithashtu, Twitter shpalli se kishte bllokuar 486 llogari që shkelnin rregullat dhe standartet e tij.
Më 21 gusht, Washington Post raportoi se Facebook kishte konfirmuar se regjimi iranian qëndronte prapa një operacioni mashtrues në Facebook, i cili kishte në shënjestër qindra mijëra persona në të gjithë botën.
Sipas raporteve nga Reuters, operacioni iranian i infiltrimit besohet se është shumë më i madh nga ç’ishte menduar më përpara. Reuters tha se operacioni përfshin një rrjet të gjerë uebsitesh e llogarish anonime në mediat sociale, dhe është aktiv në 11 gjuhë. Analistët e Reuters kanë identifikuar dhjetëra llogari në Facebook, Instagram, Twitter, dhe YouTube.