MARYAM RAJAVI TAKOHET ME RUDY GIULIANI, AVOKATIN E PRESIDENTIT AMERIKAN

471

 

E premte, 29 qershor, 2018 – Maryam Rajavi u takua sonte me Rudy Giuliani, avokat i presidentit të Shteteve të Bashkuara. Mbledhja u bë në zyrën e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në Paris në vigjilje të mbledhjes së madhe të përvitshme të Rezistencës Iraniane.

Ata diskutuan për zhvillimet më të fundit në Iran duke përfshirë zgjerimin e protestave popullore kundër regjimit klerikal në Teheran dhe në qytete të tjera iraniane si dhe për gjendjen e brishtë të regjimit.

Maryam Rajavi përsëriti se protestat kanë vazhduar pavarësisht një vale masive arrestimesh dhe shtypjeje. Kjo jep shenja për rrethanat e pjekura dhe gjendjen shpërthyese të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, kjo gjë përligj strategjinë e Rezistencës Iraniane dhe rolet e pamohueshme të njësive të rezistencës.

Nuk ka kthim pas, shtoi Znj. Rajavi. Rrëzimi i regjimit nga vetë populli iranian dhe Rezistenca e tij është i sigurtë, dhe regjimi nuk ka asnjë rrugëdalje.

Giuliani tha se Administrata e SHBA ka shpallur se regjimi i mullahëve ka uzurpuar sovranitetin e popullit iranian. Z. Giuliani vuri në dukje, siç kanë deklaruar vazhdimisht Presidenti amerikan dhe Sekretari i Shtetit, se ky është një regjim i korruptuar dhe populli i Iranit ka qenë viktima që ka vuajtur më gjatë prej tij.

Rudy Giuliani është një nga nënshkruesit e deklaratës së firmosur nga 33 personalitete amerikane që i drejtohet tubimit të iranianëve, Free Iran – The Alternative (Irani i Lirë – Alternativa), në mbështetje të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhe planit me dhjetë pika të Presidentes së zgjedhur të NCRI.

Ai tha se një politikë e prerë ndaj regjimit, që kërkohet prej shumë vitesh, është vetëm hapi i parë. Hapi tjetër është qëndrimi përkrah popullit të Iranit dhe alternativës demokratike, Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, të cilët luftojnë për një republikë të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti.

Ai shtoi, “Unë besoj fort se alternativa është Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit nën udhëheqjen e Maryam Rajavi.”