Pavarësisht masave të egra të regjimit, banorët e Kazerunit kanë vazhduar me protestat dhe demonstratat e tyre
Populli i Kazerunit doli në rrugë përsëri këtë mëngjes, të enjten, 17 maj, 2018, në protestë ndaj mizorive të mbrëmshme të kryera nga regjimi klerikal. Protestuesit u sulmuan përsëri nga forcat e Sigurisë së Shtetit duke shkaktuar përplasje. Të shtënat dhe tensionet kanë vazhduar kudo nëpër qytet.
Të mërkurën mbrëma, inteligjenca e regjimit dhe forcat e Sigurisë së Shtetit hapën zjarr mbi njerëzit, duke vrarë disa njerëz që protestonin kundër arrestimeve të një numri të madh të rinjsh të qytetit. Më shumë të tjerë u plagosën apo u arrestuan. Të paktën dy veta u qëlluan për vdekje sipas raportimeve brenda Iranit.
Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Znj. Maryam Rajavi, ka brohoritur martirët heroikë të Kazerunit dhe popullin trim e të vuajtur të qytetit. Ajo ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe i ka nxitur bashkatdhetarët e saj të turren në ndihmë të të plagosurve. Znj. Rajavi ka bërë gjithashtu thirrje për nisjen e një delegacioni investigativ të OKB dhe për ekzaminimin e situatës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një përfaqësues i Komisionit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut.
Menjëherë pas sulmeve kriminale të regjimit të Mërkurën mbrëma mbi popullin e pambrojtur të Kazerunit, Zyrat Qendrore Sociale të PMOI brenda Iranit i kanë bërë thirrje banorëve të Kazerunit dhe qyteteve fqinje të turren në ndihmë të të plagosurve dhe viktimave dhe të mbështesin të arrestuarit.
Regjimi iranian e ka ndërprerë aksesin në internet dhe media sociale për Kazerunin që natën e djeshme për të parandaluar përhapjen e lajmit të kryengritjes së qytetit. Megjithatë, përplasjet kanë qenë kaq të gjera saqë zyrtarët e regjimit dhe mediat e lajmeve janë detyruar t’i pohojnë këto protesta.