Maryam Rajavi flet në Asemblenë Kombëtare të Francës: Europa duhet të mbajë anën e popullit iranian e jo të regjimit

1100

Anëtarë të Asemblesë Kombëtare të Francës, të martën më 29 tetor 2019, kishin ftuar udhëheqësen e opozitës iraniane Maryam Rajavi për një konferencë lidhur me politikën europiane ndaj Iranit, si dhe folën kundër abuzimeve të regjimit ndaj të drejtave njerëzore dhe akteve ndërkombëtare të terrorit. 

Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, ishte folësja kryesore në konferencën e 29 tetorit 2019, të quajtur “Iran: represioni, agresioni, nevoja për një përqasje të re,” konferencë e cila u mbajt me iniciativën e Komitetit Parlamentar për një Iran Demokratik (CPID). Konferenca u fokusua në situatën aktuale në Iran dhe në nevojën për të ndërmarrë një qëndrim të ri përkundrejt këtij regjimi, pas dështimit të iniciativave të fundit ndërkombëtare për ta frenuar rolin e tij destabilizues në Lindjen e Mesme.

 Deputetë parlamentarë nga parti të ndryshme politike të Francës dëgjuan rekomandime për politika nga znj. Rajavi.  

  Znj. Rajavi theksoi se, në mënyrë që ta çojë përpara politikën e tij, regjimi i mullahëve merr pengje dhe i përdor ambasadat dhe diplomatët e tij për të kryer sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, veçanërisht në Francë. Eksportimi i terrorizmit dhe agresionit janë mjetet strategjike të regjimit për të ruajtur pushtetin. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian dhe sidomos presidenti francez kanë dështuar në të gjitha përpjekjet për reduktimin e tensioneve. 

  Znj. Rajavi nënvizoi faktin se vetëm përmes themelimit të demokracisë në Iran mund të rikthehen paqja dhe stabiliteti në rajon. Ajo tha se regjimi, në periudhën më kritike të sundimit të tij, po përballet me zemërim gjithnjë e më të madh nga ana e popullit iranian, i cili kërkon ndryshim regjimi. Rruga e saktë e veprimit për Europën është të mbështesë popullin iranian i cili kërkon përmbysjen e këtij regjimi. 

Parlamentari francez André Chassaigne shpjegoi zhvillimet në Iran pas paktit bërthamor dhe tha se që atëherë, Irani po zien nga protestat popullore. Ai shtoi se e vetmja zgjidhje është ofrimi i mbështetjes për popullin iranian në adresimin e shkeljeve të të drejtave njerëzore nga regjimi.

  Duke folur për vizitën e saj së bashku me kolegun Hervé Saulignac në Ashraf III, në bazën e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) në Shqipëri, kur MEK-ët mirëpritën në kompleksin e tyre mbi 350 figura politike dhe parlamentare nga 47 vende të botës këtë verë që shkoi, Michèle de Vaucouleurs, Kryetare e CPID, tha se ky qytet dhe banorët e tij janë një burim shprese për iranianët, për ta çliruar vendin e tyre nga zgjedha e diktaturës fetare.  

CPID përfshin anëtarë të parlamentit me përkatësi të ndryshme politike.