E burgosura politike iraniane Maryam Akbari Monfared ka shkruar një letër të hapur për përvjetorin e masakrës së të burgosurve politikë në 1988-ën në Iran, ku kritikon Perëndimin për heshtjen e tij lidhur me këtë çështje, duke vënë në dukje se autorët e masakrës mbajnë ende pozicione pushteti në Regjim, dhe duke pohuar se këto dy gjëra janë të lidhura.
Ajo shkruan: “Çdokush që hesht dhe nuk e ngre zërin kundër padrejtësive [apo] vendos të ndjekë një politikë paqësimi, [tradhëton] kompetencën njerëzore dhe lirinë e zgjedhjes. Kjo gjë shkatërron perlën që ekziston brenda çdo qenieje njerëzore dhe që i dallon njerëzit nga gjithë gjallesat e tjera. Fakti që ju e keni fshehur këtë krim, keni heshtur në lidhje me të, dhe i keni mbështetur organizatorët e autorët e masakrës së fëmijëve të guximshëm të Iranit, e ka trimëruar fashizmin fetar për të vazhduar më tej me shtypje e luftënxitje.”
Akbari Monfared, e cila mbahet në Godinën e Grave të burgut Evin, ka humbur një motër dhe një vëlla në masakrën e 1988-ës, si dhe dy vëllezër të tjerë në ekzekutimet e tjera masive të viteve 1980. Ajo thotë se martirët janë gjaku që rrjedh në dejtë e historisë. Motra dhe vëllezërit e saj ishin anëtarë të grupit kryesor të opozitës demokratike iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur edhe si Mujahedin-e Khalq (MEK).
Ajo shkruan: “Atë mëngjes kur viktimat prekën litarët e varjes, ata u shndërruan në gjakun që rrjedh në dejtë e historisë. Fryma e tyre e ngrohtë përhapi farat e së ardhmes në dheun e së shkuarës. Në nxehtësinë dhe atmosferën shtypëse të dhomave të torturës, këngët e tyre tek trekëmbëshi shkruan historinë tonë.”
Akbari Monfared shpjegon se populli i Iranit i respekton martirët dhe e sheh masakrën si pjesë të luftës së tij për liri, luftë e cila vazhdon edhe sot.
Akbari Monfared tha se Perëndimi duhet ta ngrejë zërin kundër ‘krimit më të madh kundër njerëzimit që nga Lufta e Dytë Botërore’, duke vënë në dukje se mullahët i kanë vazhduar krimet e tyre sepse nuk u është kërkuar llogari. (Për shembull, vrasja e Mohammad Salas në mars 2018 për të justifikuar shtypjen e regjimit ndaj minoritetit fetar të Dervishëve dhe vrasja e Alireza Shir-Mohammad-Ali më herët këtë vit për shkak të protestave të tij lidhur me kushtet e burgjeve.) Ajo i bëri thirrje Perëndimit që të ndërmarrë një politikë të rreptë në lidhje me të drejtat e njeriut në Iran.
Ajo shkruan: “Këto vrasje vazhduan të ndodhnin për shkak të politikës së paqësimit të ndjekur nga vendet europiane dhe Amerika. Regjimi është mbështetur në këtë politikë për të kryer krimet e veta… Ka ardhur koha që ta lini mënjanë këtë politikë të turpshme dhe t’i hapni sytë. Ky është një regjim që mbështetet tek gjenocidet dhe autorët e vrasjeve janë ende në pushtet. Por është një e vërtetë e padiskutueshme fakti që gjaku i martirëve gjëmon pafundësisht.”
Letra e hapur e Akbari Monfared është publikuar fillimisht nga Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Në verën e 1988-ës, regjimi iranian ekzekutoi në mënyrë jashtë-gjyqësore dhjetëra mijëra të burgosur politikë në mbarë Iranin. Masakra u krye në bazë të një fatwa nga Lideri Suprem i atëhershëm i regjimit, Ruhollah Khomeini.
Faktet:
- Mbi 30,000 të burgosur politikë umasakruan në Irangjatë verës së 1988-ës.
- Masakra u krye mbi bazën e një fatwa nga Khomeini.
- Shumica dërrmuese e viktimave ishin aktivistë të opozitës PMOI (MEK).
- Një Komitet i Vdekjes i miratonte të gjitha dënimet me vdekje.
- Alireza Avaei, anëtar i Komitetit të Vdekjes, është sot Ministri i Drejtësisë në kabinetin e Hassan Rouhani-t.
- Autorët e masakrës së 1988-ës nuk janë vënë kurrë para drejtësisë.
- Më 9 gusht 2016 u publikua për herë të parë një regjistrim zëri i ish-pasuesit të Khomeini-t, ku ai pohonte faktin se masakra kishte ndodhur dhe ishte urdhëruar në nivelet më të larta.