Friday, March 29, 2024

Regjimi Iranian Thotë se Ka Pasuruar 24 Ton Uranium në Shkelje të Paktit Bërthamor

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të regjimit iranian thotë se regjimi ka pasuruar 24 ton uranium që nga firmosja e paktit bërthamor të 2015-ës me fuqitë botërore, shumë më tepër se sasia e lejuar nga kushtet e paktit.

Komentet e Ali Akbar Salehi-t drejtuar ligjvënësve u mbuluan gjerësisht nga mediat shtetërore dhe gjysëm-zyrtare, të cilat cituan ligjvënësit konservatorë që ishin të pranishëm në takimin me dyer të mbyllura.

Pakti bërthamor i 2015-ës, i njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), përfshinte një limit prej 300 kilogramësh mbi rezervat e uraniumit të pasuruar. Kreu i Organizatës Iraniane të Energjisë Atomike (AEOI), Ali Akbar Salehi, u citua nga televizioni shtetëror të dielën duke thënë se regjimi iranian “nuk ka pasuruar 300 kilogramë uranium, por ka pasuruar 24 ton (metrik) uranium,” që është baras me 24,000 kilogramë (afërsisht 53,000 paund.).

Agjensia zyrtare shtetërore e lajmeve IRNA shkroi në botimin e saj në anglisht:

“Irani ka pasuruar 24 ton uranium që kur është firmosur pakti bërthamor, sipas një ligjvënësi iranian i cili citon fjalët e kreut të organizatës bërthamore të vendit në parlament të dielën.”

Uji i rëndë mund të përdoret në reaktorë për të prodhuar plutonium, i cili përdoret në raketat bërthamore.

Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani deklaroi më 3 korrik 2019 se, duke nisur nga 7 korriku, regjimi do ta rritë pasurimin e uraniumit deri në çfarëdo sasie që të dëshirojë dhe do t’i rifillojë veprimtaritë në reaktorin e ujit të rëndë në Arak.

Duke komentuar mbi deklaratën e Rouhani-t, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) Mohammad Mohaddessin tha: “Ngjarjet e ditëve të fundit dhe deklarata e Rouhani-t sot tregojnë qartë se regjimi i mullahëve nuk i ka braktisur kurrë projektet e armëve bërthamore dhe po përpiqet të gjejë një mundësi për t’i ndjekur ato sërish. Siç ka deklaruar vazhdimisht Rezistenca Iraniane, regjimi nuk duhet të lejohet të kryejë asnjë pasurim të uraniumit dhe projektet e tij bërthamore duhet të eliminohen plotësisht.”