Regjimi Iranian Shkel të Drejtat e Njeriut Brenda Vendit dhe Komploton Terrorizëm në Europë
150 Anëtarë të Parlamentit Europian Bëjnë Thirrje për Përjashtimin e Agjentëve të Inteligjencës së Iranit nga BE
Në një deklaratë të përbashkët, 150 Anëtarë të Parlamentit Europian kanë dënuar abuzimet e regjimit iranian me të drejtat njerëzore brenda vendit dhe komplotet e tij terroriste në Europë.
Nënshkruesit janë nga gjashtë grupet e mëdha politike të Parlamentit Europian dhe përfaqësojnë 27 Shtete Anëtare të BE-së. Ata përfshijnë 4 Zëvendës-Presidentë të Parlamentit Europian dhe 14 Kryetarë Komitetesh e Delegacionesh.
Nënshkruesit kanë shprehur shqetësimin e tyre për përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe shtypjen e grave në Iran. Parlamentarët sollën në vëmendje faktin që Irani “e ka mbajtur numrin më të lartë të ekzekutimeve për kapita në botë gjatë presidencës së të ashtu-quajturit ‘të moderuar’ Hassan Rouhani.”
Që nga fundi i dhjetorit të vitit të shkuar, qytetet iraniane kanë qenë skena kryengritjesh madhore e protestash anti-regjim. Atmosfera shoqërore është e paqendrueshme, dhe njerëzit kërkojnë një ndryshim themelor.
Ndërkohë, zyrtarët e regjimit e kanë pranuar rolin e “njësive të rezistencës” së opozitës PMOI (MEK) në organizimin e protestave e grevave mbarëkombëtare. Teherani shpenzon miliona në një fushatë masive njollosjeje në botën perëndimore, duke shpërndarë lajme të rreme e keqinformim kundër kësaj lëvizjeje kryesore opozitare.
I paaftë për t’i mposhtur protestuesit brenda vendit, regjimi ka nisur një valë të re terrorizmi kundër aktivistëve të opozitës jashtë shtetit. Në muajt e fundit, disa komplote terroriste të regjimit iranian janë neutralizuar nga agjensitë europiane dhe amerikane të Sigurisë. Një diplomat iranian i arrestuar në Gjermani ndodhet tashmë përballë gjyqit në Belgjikë.
Franca e ka sanksionuar zyrtarisht Ministrinë Iraniane të Inteligjencës dhe e ka akuzuar se është përgjegjëse për komplotin me bombë që kishte në shënjestër tubimin Free Iran të opozitës NCRI në Paris më 30 qershor 2018.
Muajin e shkuar, Danimarka e tërhoqi ambasadorin e saj nga Irani për shkak të një komploti të parandaluar për vrasje kundër disidentëve iranianë, banues në Danimarkë.
Anëtarët e Parlamentit Europian kritikuan përqasjen aktuale të BE-së ndaj Iranit. “Heshtja e BE-së përballë shkeljeve brutale të të drejtave njerëzore në Iran dhe mungesa e një përgjigjeje ndaj çështjeve serioze të komploteve terroriste në Europë është e papranueshme,” theksuan ligjvënësit e BE-së, duke shtuar se “duhet ta vëmë regjimin iranian përpara përgjegjësisë për komplotet e tij terroriste dhe t’i përjashtojmë operativët e Ministrisë iraniane të Inteligjencës nga Europa.”
Ata nxitën gjithashtu qeverinë shqiptare, e cila po strehon disa mijëra refugjatë të opozitës iraniane, “që të mos i lejojë agjentët iranianë në territorin e saj” pas parandalimit të një komploti me bombë afër Tiranës më herët këtë vit.
Duke folur nga Brukseli, MEP Gérard Deprez, kryetar i Friends of a Free Iran (Miqtë e një Irani të Lirë) – një intergrup jozyrtar me mbështetje të gjerë në Parlamentin Europian, theksoi: “Të drejtat e njeriut në Iran nuk mund të komprometohen apo margjinalizohen duke përdorur si justifikim konsideratat politike, tregtinë apo marrëveshjen bërthamore. Çdo zgjerim i marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Iranin duhet të jetë i kushtëzuar nga një progres i qartë në të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe nga një ndalim i ekzekutimeve.
Gérard Deprez, Anëtar i Parlamentit Europian
Kryetar i Friends of a Free Iran (Miqtë e një Irani të Lirë) në Parlamentin Europian