Shkruar nga Shamsi Saadati më 26 qershor 2019.
Nga Shamsi Saadati
Të martën më 25 qershor, një turmë e madhe klientësh të institucioneve kreditore Caspian dhe Samen al-Hojaj, të cilat janë të lidhura me shtetin, u mblodhën në protestë përpara Bankës Qendrore në Teheran për mos-plotësimin e kërkesave të tyre. Klientët e këtyre institucioneve dhe të disa institucioneve të tjera financiare të Iranit kanë humbur investime me vlerë biliona dollarë vitet e fundit dhe kanë protestuar vazhdimisht për të rifituar fondet e tyre të humbura.
Klientët bënë thirrje për fillimin e një procedimi gjyqësor për projektligjin 236 të parlamentit dhe për një padi kundër Samen al-Hojaj.
Këto institucione zotërohen në një masë të madhe nga Garda Revolucionare (IRGC) dhe kanë refuzuar t’u përgjigjen kërkesave të klientëve të tyre pavarësisht protestave që kanë vazhduar për muaj të tërë.
Gjatë dy viteve të fundit, klientët dhe viktimat e plaçkitura të Caspian dhe Samen Al-Hojaj kanë protestuar përpara zyrave të këtyre institucioneve.
Politikat shkatërrimtare të regjimit iranian po i kushtojnë shtrenjtë ekonomisë së vendit. Ndërkohë që Teherani e shpenzon pasurinë e vendit për luftërat në Siri e Jemen dhe për grupet terroriste me të cilat ka lidhje, populli iranian jeton në varfëri të skajshme.
Nga ana tjetër, korrupsioni i përhapur gjerë në institucionet e qeverisë e ka përqendruar pasurinë e vendit në duart e një grupi të vogël njerëzish që mbajnë pozicione të larta pushteti.