Amnesty: Regjimi iranian i torturon familjet e viktimave të masakrës së 1988-ës

320

Autoritetet iraniane e shkelin sistematikisht ndalimin absolut të torturës dhe keqtrajtimeve të tjera me anë të praktikave mizore ndaj familjarëve të mijëra të burgosurve që janë zhdukur me forcë dhe ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqësore në burgjet e Iranit gjatë masakrës së 1988-ës, ka thënë Amnesty International me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.

Pas tre dekadash që nga koha kur autoritetet iranian zhdukën me forcë dhe vranë disa mijëra disidentë politikë në fshehtësi, duke i hedhur trupat e tyre në varre masive të pashënuara, ato vazhdojnë t’i torturojnë familjarët duke refuzuar t’u thonë se kur, si dhe pse janë vrarë të dashurit e tyre dhe ku janë varrosur eshtrat e tyre, shkroi në uebsitin e saj kjo organizatë e të drejtave njerëzore më 26 qershor 2019. Familjarët që kanë kërkuar të vërtetën dhe drejtësi janë përballur me kërcënime, ngacmime, frikësime e sulme, sipas Amnesty.

“Refuzimi i vazhduar i autoriteteve iraniane për t’i pranuar vdekjet apo për të zbuluar fatin dhe vendndodhjen e atyre që janë zhdukur me forcë dhe vrarë, u ka vënë një barrë mizore mbi kurriz familjarëve që vazhdojnë të përndiqen nga një ndjenjë dhimbjeje, pasigurie dhe padrejtësie,” tha Philip Luther, Drejtor i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International.

“Nuk ka asnjë dyshim që vuajtja e tmerrshme që u është shkaktuar familjeve të viktimave për më shumë se 30 vite është një shkelje e ndalimit absolut të torturës dhe trajtimeve të tjera mizore e ç’njerëzore sipas ligjit ndërkombëtar.”

Amnesty vuri në dukje se tortura dhe aktet e tjera çnjerëzore janë krime kundër njerëzimit kur bëjnë pjesë në një sulm sistematik apo me shtrirje të gjerë.

Familjarët e viktimave të intervistuar nga Amnesty International thonë se në jetën e tyre vazhdon të mbizotërojë dhimbja dhe pasiguria. Shumë prej tyre kanë thënë se, pa një trup mbi të cilin të mbajnë zi, ata mbeten në një gjendje pezull, pa mundur të besojnë se të afërmit e tyre kanë vdekur vërtetë.

Në disa raste, familjarët kanë thënë se zhdukjet e detyruara dhe vrasjet e fshehta kanë shkaktuar apo kontribuar në probleme të shëndetit fizik dhe mendor për prindërit e viktimave, duke përfshirë infarkte zemre, depresion, deluzione dhe tendenca vetëvrasëse.

Vuajtja e këtyre familjeve është përkeqësuar nga fushata e vazhduar e autoriteteve iraniane për t’i mohuar vrasjet masive dhe për ta fshirë kujtimin kolektiv të viktimave nga historia zyrtare. Kjo ka përfshirë, mes praktikave të tjera mizore, faktin që familjeve nuk u janë dhënë çertifikata vdekjeje, në shumë raste, ose dhënien e çertifikatave që si shkak të vdekjes deklarojnë shkaqe “natyrore”, sëmundje ose thjesht “vdekje”. Autoritetet kanë refuzuar gjithashtu ta pranojnë ekzistencën e varreve masive ku ndodhen eshtrat e të burgosurve të vrarë, ndërkohë që i kanë shkatërruar me qëllim vendndodhjet e dyshuara apo të konfirmuara të varreve masive duke i rrënuar ato apo duke ndërtuar godina, rrugë apo varre të reja mbi to. Përveç kësaj, i kanë ndaluar edhe ritualet e zisë, përkujtimet dhe diskutimet publike rreth vrasjeve masive të të burgosurve, dhe janë munduar t’i paraqesin si të parëndësishme duke e quajtur numrin e vdekjeve si “të ulët” apo “të pallogaritshëm”.

Raporti Sekrete të Ngjyera në Gjak i publikuar në dhjetor 2018 nga Amnesty International konkludon se, për shkak të natyrës së përhapur dhe sistematike të krimeve të shkuara dhe të tanishme – duke përfshirë fshehjen e vazhdueshme të fatit dhe vendndodhjes së viktimave të vrasjeve të fshehta jashtëgjyqësore të 1988-ës – autoritetet iraniane kanë kryer krime kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasje, zhdukje të detyruar, persekutim, torturë dhe akte të tjera çnjerëzore. Raporti i bënte thirrje OKB-së që të nisë një hetim të pavarur mbi këto vdekje për të zbuluar të vërtetën, për të mundësuar ndjekjen penale të të dyshuarve si autorë dhe për të siguruar drejtësi dhe dëmshpërblim për familjet e mijëra njerëzve të vrarë.

“Fakti që askush nuk sillet para drejtësisë për vrasjen brutale të mijëra njerëzve të zhdukur në 1988-ën shërben vetëm për ta intensifikuar dhimbjen e familjeve të viktimave. Vuajtja e tyre nuk do të marrë fund deri sa të zbardhet e vërteta e plotë për masakrat e burgjeve në 1988-ën përmes një procesi që të përfshijë hapjen e varreve nga ekspertë të pavarur, kryerjen e autopsive dhe analizave të ADN-së, dhe lehtësimin e rikthimit të eshtrave të viktimave tek familjet e tyre,” ka thënë Philip Luther.

Amnesty International shton: Në fund të korrikut 1988, mijëra disidentë politikë të burgosur iu nënshtruan zhdukjes së detyruar. Që nga fundi i tetorit 1988 e tutje, shumë familje janë thirrur pa njoftimin e duhur paraprak për t’u lajmëruar për vdekjen e njerëzve të tyre – ndonjëherë thjesht duke u dorëzuar sendet personale të të vdekurve – pa asnjë detaj se si dhe pse janë ekzekutuar apo ku janë varrosur trupat e tyre. Në disa raste, familjet as nuk janë njoftuar fare për vdekjen e njerëzve të tyre.

Pozicioni i Amnesty International se autoritetet iraniane janë duke e shkelur sistematikisht ndalimin absolut të torturës dhe keqtrajtimeve të tjera në këtë aspekt mbështetet nga opinionet e ekspertëve të organeve të OKB-së për të drejtat njerëzore mbi impaktin e zhdukjeve të detyruara mbi të afërmit e viktimave.

Grupi i Punës i OKB-së mbi Zhdukjet e Deyturara apo të Pavullnetshme ka pohuar se dhimbja dhe vuajtja që i shkaktohet familjes nga zhdukja e një njeriu të dashur dhe nga pasiguria e vazhdueshme lidhur me fatin apo vendndodhjen e tij/saj “arrin pragun e torturës”.

Komitetit i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka pohuar gjithashtu se vuajtja që i shkaktohet një familjeje nga zhdukja e njerëzve të dashur, fshehtësia lidhur me datën e ekzekutimit dhe vendin e varrosjes, si dhe refuzimi për t’ia dhënë trupin për varrim kanë efektin e ndëshkimit dhe të shqetësimeve mendore, dhe si të tilla, janë të barasvlefshme me një shkelje të ndalimit ndaj torturës dhe trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese.

Masakra ka ndodhur në verën e vitit 1988 pasi Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian, Ruhollah Khomeini, nxori një fatwa (urdhër fetar) të fshehtë ku jepte urdhër për ekzekutimin e të gjithë të burgosurve që tregoheshi “të patundur” në mbështetjen e tyre ndaj grupit kryesor opozitar Organizata Muxhahedine e Populli të Iranit (PMOI ose Mujahedin-e Khalq, MEK).