Mijëra iraniano-amerikanë morën pjesë në një tubim para pak ditësh në Uashington dhe njëra prej thirrjeve të tyre mori përgjigje të hënën: Presidenti Trump sanksionoi Liderin Suprem të Iranit Ali Khamenei, shkruan Washington Examiner të martën, më 25 qershor.
Prioriteti kryesor i pjesëmarrësve të tubimit të së premtes do të kërkojë shumë më tepër kohë për t’u arritur, por ata këmbëngulin se nuk duan që ta bëjë administrata për ta: ndryshimi i regjimit në Iran.
Washington Examiner ka intervistuar iraniano-amerikanët, ish-Senatorin amerikan Robert Torricelli dhe ish Ambasadorin amerikan në OKB dhe guvernatorin e New Mexico, Bill Richardson.
Artikulli shton: Shprehja “ndryshim regjimi” mund të jetë anatemë në Uashington, por kjo nuk i pengoi demonstruesit përpara Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë të premten që të thërrisnin, “Ndryshim, ndryshim, ndryshim. Ndryshim regjimi në Iran.” Ata kishin ardhur në Uashington nga 40 shtete për të marrë pjesë në eventin e Organizatës së Komuniteteve Iraniano-Amerikane për të shprehur mbështetje për njerëzit në 160 qytete të Iranit, të cilët kanë protestuar kundër regjimit të Republikës Islamike, herë pas here, për një vit e gjysëm. Tubimi u zhvillua në një kohë kur tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit ishin në një nivel shumë të lartë, pasi një ditë më parë Irani kishte rrëzuar një dron amerikan mbi ujërat ndërkombëtare, por ishte organizuar shumë kohë më parë.
“Është gjithmonë e rëndësishme të vijmë e të tregojmë solidaritet me iraniano-amerikanët që janë për ndryshim regjimi. Dhe gjithashtu të përfaqësojmë popullin iranian dhe pjesën tjetër të botës duke e ditur se ka një rezistencë të fortë që ka qenë për 40, 50 vite, dhe të sigurohemi që zërat tanë të dëgjohen fort dhe qartë,” tha për Washington Examiner një qytetare e Los Angeles, Delaram Ahmady, 26 vjeç. Familja e saj u arratis për në Shtetet e Bashkuara kur ajo ishte 3 vjeç pasi i ati, i burgosur për tetë vjet në vitet 1980, kishte frikë se mund të bëhej sërish një i burgosur politik.
“Nuk duam sulm, nuk duam luftë. Duam vetëm mbështetje për popullin iranian dhe rezistencën iraniane,” tha ajo. “Mendoj se është e rëndësishme ta veçojmë ndryshimin e regjimit kur ekziston një rezistencë e fortë.” Ajo shpreson që administrata Trump të vërë sanksione edhe më të forta mbi regjimin. “Një gjë e tillë do të ushtronte presion mbi ta ekonomikisht si dhe do t’i detyronte të hiqnin dorë nga veprimtaritë terroriste në Lindjen e Mesme.”
Ligjvënës aktualë e të mëparshëm nga të dyja partitë folën para turmës përpara Departamentit të Shtetit para se të marshonin drejt Shtëpisë së Bardhë — dhe as ata nuk ngurruan të bënin thirrje për ndryshim regjimi, thotë raporti.
“Jemi këtu për t’u kujtuar miqve tanë në këtë ndërtesë dhe në Shtëpinë e Bardhë se duhen mbajtur mend disa gjëra në lidhje me regjimin. Nuk mund t’i reformosh mullahët në Teheran,” tha ish Senatori demokrat i New Jersey, Bob Torricelli. “Na duhet ndryshim regjimi, dhe na duhet tani.”
Folën dy kongresistë të Kalifornisë, republikani Tom McClintock dhe demokrati Brad Sherman. “Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar dy agjentë të regjimit iranian për mbledhje informatash lidhur me anëtarë të opozitës iraniane këtu në Uashington. Jam i sigurtë që agjentët e tyre po i shohin tani videot tona,” tha Sherman. “Le ta shohin të ardhmen e Iranit.”
Organizatorët dhe pjesëmarrësit e tubimit nuk bënë thirrje për aksion ushtarak kundër Iranit, shkruan Washington Examiner, duke shtuar: Ata folën në mbështetje të shtimit të sanksioneve, përfshirë mbi liderin suprem, dhe bënë thirrje që Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë, përgjegjëse për shtypjen e protestave brenda vendit dhe planifikimin e sulmeve mbi disidentët jashtë vendit, të deklarohet organizatë e huaj terroriste, ashtu siç u veprua me Gardën Revolucionare të Iranit në prill.
“Do të habiteshit, fushata e presionit maksimal që po zhvillohet mbështetet nga shumica e iranianëve,” tha për Washington Examiner Homeira Hesami, një fizikante mjekësore nga Dallas në fillim të të pesëdhjetave e cila ka qenë e burgosur politike në Iran pak pas mbarimit të shkollës së mesme në moshën 16 vjeçare. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara sepse regjimi nuk e lejonte të bënte shkollën e lartë në Iran. Kushëriri i saj u ekzekutua në 1988-ën. “I detyrohem vërtet atij, miqve të mi, njerëzve që pashë në burg,” tha ajo duke shpjeguar pse kishte ardhur në Uashington për tubimin. Kishte parë një 13-vjeçare në burg të cilën e kishin torturuar. “Ajo nuk mundte as të ecte. Kjo është sakrifica që kanë bërë njerëzit.”
“Ndryshimi i regjimit nuk është një gjë që do të imponohet nga jashtë. Është ajo që duan vetë njerëzit brenda Iranit,” tha Hesami. “Ndryshimi i regjimit nuk është gjë e keqe nëse e do vendi.” Ajo e mbështet fushatën e “presionit maksimal” të administratës. “Po ia boshatis xhepat regjimit.”
Raporti shton: Folësit në tubim përfshinin edhe Gjeneralin me katër yje, tashmë në pension, Jack Keane, dhe, përmes videos, Maryam Rajavi-n, presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit me bazë në Paris, grupi më i organizuar i rezistencës iraniane.
“E kuptoj ngurrimin e presidentit për sa i përket një sulmi ushtarak që do të kushtojë jetë njerëzish. Por do ta këshilloja që nëse Shtetet e Bashkuara mund të sulmohen me pandëshkueshmëri dhe mjetet tona ushtarake, me ose pa pilot, shkatërrohen dhe Shtetet e Bashkuara nuk përgjigjen, kjo është një ftesë jo vetëm për iranianët por edhe për koreano-veriorët, rusët, kinezët, dhe shumë vende të tjera. Do të paguajmë një çmim tepër të lartë,” tha Torricelli për Washington Examiner. “Iranianët kanë sulmuar jo vetëm një dron amerikan, por edhe dy cisterna nafte në ujërat ndërkombëtare.”
Ish-senatori dha një rekomandim shumë specifik lidhur me shpagimin: “Ata kanë një flotë jashtëzakonisht të vogël e shumë të kufizuar. Mendoj se duhet ta eliminojmë flotën e tyre. Kanë tre anije. Nuk duhet të kenë asnjë.”
Demokrati Bill Richardson, ish-guvernator i New Mexico, sekretar i energjisë, ambasador në Kombet e Bashkuara, dhe kongresist për 14 vite, tha për Washington Examiner: “Duhet të ketë një përgjigje por jo domosdoshmërisht përgjigje ushtarake, ndoshta sanksione të mëtejshme.”
Ai mendon se Amerika duhet të punojë gjithashtu për të “ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për të mbrojtur anijet që kalojnë në Gjirin Persik” dhe “për t’ia ndaluar Iranit ndërtimin e objekteve të uraniumit të pasuruar.”
Washington Examiner shton: Shtëpia e Bardhë ua vuri veshin zërave të iraniano-amerikanëve jashtë ndërtesës. I ftuar në Face the Nation të CBS-së të dielën, Zëvendës-Presidenti Mike Pence diskutoi politikën e administratës ndaj Iranit dhe tha, “Ajo që duam të bëjmë është të qëndrojmë përkrah iranianëve si popull, mijëra prej të cilëve u grumbulluan të premten jashtë Shtëpisë së Bardhë, dhe mijëra prej të cilëve dolën nëpër rrugë vitin e shkuar në komunitetet në mbarë Iranin.”