Irani u godit nga vala e tretë e përmbytjeve të papritura brenda dy javëve të hënën. Një provincë perëndimore ndodhet nën ujë pasi shirat e dendur shkaktuan tejmbushjen e lumenjve dhe digave. Deri tani, 56 fshatra rreth lumenjve Dez e Karkheh janë evakuar.
Videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë ujërat që përmbytin disa qytete në provincën Lorestan. Një klip tregon një shtëpi duke u rrëzuar nën peshën e ujit në Pol Dokhtar, ndërsa një tjetër tregon disa shtëpi të zhytura gati deri në çatitë e tyre në Mamulan.
Përmbytjet goditën për herë të parë Iranin veri-lindor më 19 mars, më pas Iranin perëndimor e jug-perëndimor më 25 mars. Regjimi raporton se kanë vdekur 44 njerëz, por vendasit kanë numëruar mbi 200 deri tani.
Ministri i Brendshëm iranian Abdolreza Rahmani-Fazli tha se përmbytjet kanë pushtuar 400 qytete e fshatra në 15 provinca, dhe se rreth 60,000 familje janë detyruar të evakuohen. Ndërsa agjensia shtetërore e lajmeve IRNA citoi një zyrtar provincial të strehimit duke thënë se të paktën 25,000 shtëpi janë shkatërruar.
Si përgjigje, disa autoritete kanë dhënë urdhër për pastrimin e shtratit të rezervuareve, por kjo gjë ka bërë vetëm që përmbytjet të godisnin zona të tjerëa të provincës. Gjithsesi vlen të përmendet se këto fatkeqësi janë rezultat i 40 viteve mospërfillje ndaj mjedisit nga ana e mullahëve.
Një shuplakë në fytyrë
Një parlamentar i lartë iranian ka pretenduar madje se përmbytjet mund të sjellin “evolucion shpirtëror” për ata që kanë humbur çdo gjë, gjë që s’ishte tjetër veçse një shuplakë në fytyrë për ata që kanë humbur të afërm, miq, shtëpi e biznese.
Ali Motaheri, Zëvendësi i Dytë i Parlamentit të Iranit, shkroi në Instagram: “Mënyra se si i përballojmë këto fatkeqësi natyrore përmes këmbënguljes, durimit, qëndresës dhe duke mos u treguar mosmirënjohës (kundrejt Zotit) mund të jetë një evolucion shpirtëror për njerëzit, sidomos për ata që janë goditur nga përmbytjet.”
Shumë iranianë e dënojnë Regjimin për faktin që reagon ngadalë dhe refuzon të ndihmojë në shpëtimin e viktimave, të ofrojë strehim, apo të shpërndajë ndihmat që mbahen në depot e Gjysmëhënës së Kuqe të regjimit.
Motaheri pretendoi se ishte përfshirë në një mbledhje për Menaxhimin e Krizës, duke thënë se autoritetet kanë bërë “përpjekje të mëdha” për ta menaxhuar krizën dhe refuzoi të pranonte idenë se vdekjet kanë qenë të parandalueshme. Por në të vërtetë, Regjimi e ka menaxhuar krizën duke dërguar forca sigurie për t’i përmbajtur protestat, e jo duke i ndihmuar punëtorët me ushqime e ilaçe.
Disa zyrtarë iranianë kanë pretenduar se janë burimet e kufizuara ato që nuk po i lejojnë ta menaxhojnë si duhet krizën, por kjo ndodh ngaqë Regjimi e ka plaçkitur rregullisht pasurinë e popullit iranian duke e përdorur për të mbushur xhepat e vet apo për të paguar militantët e tij.