Monday, September 9, 2024

IRAN: Tregtarët e Pazarit të Teheranit  Protestojnë për të Dytën Ditë Kundër Rritjes së Kursit të Këmbimit të Monedhës së Huaj

 Maryam Rajavi i ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të dyqaneve dhe tregtarëve që t’i mbështesin protestuesit

Këtë mëngjes, e hënë, 25 qershor, një pjesë e madhe e Pazarit të Teheranit doli në grevë.

Tregtarët dhe dyqanxhinjtë, duke përfshirë ata të pazarit të argjendarisë, pëlhurave, Saray-e Pachenar, Saray-e Moshir, këpucarët në Charsough-un e Madh, pazari në Charsough-un e Vogël, Pazari i Kuëaiti, Sabze Meydan, Saray-e Melli, tregun e qilimave në Saray-e Bou Ali dhe 15 Khordad si dhe në Xhaminë Shah, Pazarin Bain al-Haramain, tregtarët e makinave të qepjes në Bulevardin Khayyam, pazarin e prodhuesve të bakrit në Nasser Khosroë, si dhe tregtarët në kalimin Parsian i janë bashkuar grevës masive. Ata protestojnë kundër krizës së monedhës dhe rritjes së çmimit të dollarit deri në 9,000 tomanë, si dhe kundër politikave plaçkitëse të regjimit iranian dhe liderëve të tij të korruptuar.

Pronarët e dyqaneve dhe tregtarët po demonstrojnë dhe po marshojnë drejt Sabzeh Meydan dhe Sheshit Baharestan. Dje dhe sot, protestuesit kanë thirrur: Lëreni Sirinë, mendoni për ne; Grevë! Grevë! Jemi të gjithë bashkë; nuk duam dollarë 10 mijë tomanësh; Tregtarë të zellshëm, mbështetje, mbështetje.

Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, ka përshëndetur tregtarët trima për kryengritjen e tyre në protestë ndaj çmimeve të larta, korrupsionit dhe grabitjes së aseteve të kombit iranian nga regjimi i mullahëve, dhe u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të dyqaneve dhe tregtarëve në mbarë vendin që t’i mbështesin dhe të bashkohen me tregtarët protestues.

Ajo ka thënë: kriza e kursit të këmbimit dhe çmimet e larta të paprecedent, që  kanë krijuar një barrë të rëndë për shumicën dërrmuese të popullit të Iranit, janë rezultat i politikave të fashizmit fetar që sundon Iranin i cili që nga fillimi ka shpërdoruar asetet e popullit iranian, qoftë duke shpenzuar për të shtypur popullin e vet, për projekte bërthamore, duke eksportuar terrorizmin, fondamentalizmin dhe luftën në Siri, Irak, Jemen, Liban dhe vende të tjera të rajonit, qoftë duke u grabitur nga liderët e korruptuar të regjimit. Këto politika janë të lidhura me ekzistencën dhe përfitimet e të gjitha grupeve kriminale të regjimit.

Në kryengritjen e tij mbarëkombëtare të janarit, populli iranian theksoi faktin që shkaku kryesor i të gjitha problemeve aktuale ekonomike dhe shoqërore te Iranit është regjimi ogurzi i mullahëve, i cili ia ka shkatërruar Iranit industrinë, bujqësinë, asetet dhe sigurinë kombëtare dhe financiare, si dhe ka shkatërruar mjedisin e vendit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
25 Qershor, 2018