Fabrika e Kallam Sheqerit Haft Tapeh ka qenë dikur burim krenarie kombëtare, por që kur u privatizua në vitin 2015, ka patur vështirësi financiare.
Punëtorët e fabrikës në Ahvaz, në Iranin jug-perëndimor, i kanë vazhduar protestat për të pestën ditë rresht. Ata thonë se jo vetëm që nuk janë paguar që në gusht, por duan gjithashtu edhe përgjigje për sa i përket së ardhmes së këtij kompleksi industrial.
Greva e demonstrata punëtorësh bëhen rregullisht në këtë fabrikë. Punëtorët pretendojnë se nuk paguhen për muaj të tërë. Gjithashtu, ata thonë se ua kanë ulur rrogat dhe benefitet që nga privatizimi.
Më 8 nëntor, Agjensia shtetërore Iraniane e Lajmeve të Punës (ILNA) raportoi se emrat e shumë aksionerëve të kompleksit, si dhe të anëtarëve të bordit të drejtorëve, janë në listën zyrtare të atyre që kanë shkelur rregullat e këmbimit valutor. Në fakt, aksioneri më i madh dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë besohet se, ose është arratisur nga Irani, ose është arrestuar nga autoritetet për shkak se ka shkelur rregullat e reja mbi transaksionet e këmbimit valutor.
Një ish-punëtor i fabrikës, Ali Nejati, ka thënë, “Disa thonë se drejtori i përgjithshëm është arratisur nga vendi për të mos u arrestuar, ndërsa të tjerë thonë se është arrestuar dhe mbahet në burg për shkeljen e ligjit të ri mbi transaksionet e valutës së huaj.”
Gjykata ka refuzuar të komentojë mbi vendndodhjen e drejtorit të përgjithshëm.
“Punëtorët jo vetëm që nuk i kanë marrë rrogat për muaj të tërë dhe as bonusin e Vitit të Ri, por kanë qenë edhe subjekt i ndjekjes nga ligji në vend që t’i vihet përgjegjësia punëdhënësit të tyre,” shkruan në një deklaratë të fundit unioni i tyre, i cili nuk njihet zyrtarisht në këtë moment.