NCRI – Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), Znj. Maryam Rajavi, ka thënë në një intervistë me Egypt Today se qeveria e Egjitptit ka marrë vendimin e duhur duke ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke shtuar se kjo gjë mbron interesat e gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.
Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI / MEK) është pjesë e koalicionit NCRI dhe është akuzuar nga autoritetet iraniane se ka organizuar protestat që kanë përfshirë gjithë vendin duke filluar nga fundi i Dhjetorit të vitit të shkuar.
Protestat zgjatën disa javë dhe filluan me njerëz që shprehnin pakënaqësinë e tyre për situatën ekonomike në vend. Megjithatë, shpejt situata ndryshoi dhe protestat u zëvendësuan nga demonstrata anti-qeveritare dhe thirrje për ndryshim regjimi.
Kjo ishte një goditje e fortë ndaj regjimit, i cili u përpoq ta përmbante zemërimin publik përmes metodave të tij të zakonshme të shtypjes, arrestimeve, torturës dhe burgosjes.
Duke folur për akuzat drejtuar opozitës, Znj. Rajavi tha se kryengritjet e fundit janë një reagim normal – një reagim që pritet – kur njerëzit detyrohen të jetojnë nën një regjim si ai që sundon në Iran.
Ajo tha se ka një numër shkaqesh për pakënaqësinë e përgjithshme, shkaqe që përfshijnë nivelet e larta të papunësisë dhe mungesën e aksesit, apo të aksesit të përballueshëm, ndaj shumë komoditeteve kryesore. Ajo tha për Egypt Today: “Vendi po vuante nga një shkallë e lartë papunësie, që aktualisht shkon deri në 40 përqind. Rreth 20 milion njerëz jetojnë në lagje të varfëra, një e treta e iranianëve vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe ujit.”
Për më tepër, Znj. Rajavi vuri në dukje se shtypja politike është shumë e rreptë në Iran dhe njerëzit nuk lejohen të shprehin publikisht mendimet ose opinionet e tyre.
Znj. Rajavi vuri në dukje gjithashtu se regjimi iranian më parë kishte mohuar faktin që PMOI kishte ndikim në Iran. Ky regjim është përpjekur vazhdimisht ta injorojë grupin e opozitës si të parëndësishëm dhe pa mbështetje në vend, por pas protestave të fundit nuk mundi më ta vazhdojë këtë gënjeshtër. Fakti që tani e pohon se PMOI ka luajtur një rol në protestat vërteton se e sheh opozitën si një kërcënim të madh.
Megjithatë, kërcënimi më i madh në gjithë këtë situatë është regjimi Iranian. Znj. Rajavi vuri në dukje: “Diktatura e e regjimit aktual të mullahut në Iran ka shkatërruar disa vende dhe vazhdon të përpiqet të rrëzojë të tjera, duke përfshirë Sirinë, Irakun, Jemenin dhe Libanin. Nëse ky regjim nuk ndalet, ai do t’i shkatërrojë pjesën tjetër të vendeve arabe dhe afrikane.”
Regjimi iranian po përpiqet të mbijetojë duke eksportuar luftë dhe terrorizëm dhe për ta bërë këtë po përdor të ardhurat e vendit. Kjo gjë nuk duhet të lejohet pasi populli i Iranit po vuan nga varfëria. Populli nuk arrin të përballojë as nevojat bazë ndërsa qeveria shpenzon biliona duke mbështetur luftëra në vende të tjera.
Regjimi iranian, nëse nuk ndalet, do të tërheqë në luftë sa më shumë qeveri që të mundet.