Sulmet e fundit terroriste të regjimit iranian mbi anije-cisternat e naftës në Gjirin Persik dhe sulmi me raketë pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Irak janë akte çmendurie nga një regjim në grahmat e fundit, teksa përballet me kriza të brendshme dhe izolim ndërkombëtar. Ne argumentojmë se regjimi i mullahëve po përballet me një krizë fatale që i ka rrënjët në tre faktorë:
Faktori 1: Një shoqëri në prag të shpërthimit
40 vite korrupsion e kanë shkatërruar krejt ekonominë e Iranit dhe kanë çuar në varfëri, papunësi, inflacion dhe shkatërrim të mjedisit. Zëvendës-Presidenti Eshaq Jahangiri e ka përshkruar shoqërinë iraniane si një fabrikë gazi gati për të shpërthyer me një shkëndijë të vetme. Shtypja e të rinjve dhe diskriminimi kundër grave dhe minoriteteve etnike e fetare ka ndezur zjarrin e rebelimit dhe protestave në mbarë Iranin.
Më 20 maj 2018, Mohsen Hashemi, kryetar i këshillit të qytetit të Teheranit, tha: “Në rrethanat aktuale, pakënaqësia popullore është kërcënimi më i madh me të cilin po përballet regjimi ynë. Është më i rrezikshëm e më i rëndësishëm sesa kërcënimet që vijnë nga jashtë vendit.”
Javën e shkuar, ligjvënësi Mostafa Kavakabian tha në një seancë publike të Parlamentit: “Korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni ka arritur në atë pikë sa njerëzit thonë se sanksionet kanë shumë pak efekt mbi ekonominë. Këto raste vjedhjesh, korrupsioni dhe përvetësimi kanë impakt më të madh sesa sanksionet.” (21 maj 2019)
Faktori 2: Një alternativë e arsyeshme ndaj regjimit
Koalicioni NCRI dhe forca e tij kryesore, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI ose Mujahedin-e Khalq, MEK) përfaqësojnë një alternativë të fuqishme demokratike ndaj regjimit. MEK ka fituar mbështjetje të gjerë tek populli gjatë 40 viteve të shkuara pavarësisht ekzekutimit të mbi 100,000 aktivistëve të MEK dhe sulmeve terroriste kundër anëtarëve të MEK e manovrave të ndyra politike kundër këtij grupi.
Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei më 9 janar 2018 tha se MEK qëndronte prapa protestave anti-regjim që përfshinë gjithë vendin. Presidenti Hassan Rouhani më 2 janar 2018 i tha Presidentit francez Emmanuel Macron, në një telefonatë, se MEK qëndronte prapa trazirave në Iran dhe kërkoi (më kot) që Franca të merrte masa ndaj këtij grupi, sipas AFP.
Ministri i Inteligjencës Mahmoud Alavi tha më 19 prill 2019 se 116 ekipe të lidhura me MEK ishin arrestuar gjatë vitit të shkuar. Drejtori i përgjithshëm i ministrisë në Provincën e Azerbaixhanit Lindor tha më 24 prill 2019 se veprimtaritë e MEK ishin zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme dhe se 60 aktivistë të MEK ishin arrestuar së fundmi në provincë.
Komplotet terroriste të dështuara të regjimit kundër MEK në Francë, Shqipëri dhe SHBA në 2018-ën, të cilat kishin për qëllim t’i kufizonin aftësitë e këtij grupi, patën pasoja madhore diplomatike. Ato janë akte çmendurie nga një regjim që po përballet me vdekjen. Fushata histerike e denigrimit kundër MEK tregon frikën e regjimit nga forca kryesore e opozitës ndaj tij.
Faktori 3: Fundi i paqësimit
Për katër dekada, Perëndimi i ka dhënë regjimit ndihmesën më të madhe. Administratat e mëparshme amerikane i kanë shtrirë dorën regjimit atëherë kur ai kishte më shumë nevojë. Mullahët ishin ata që fituan më shumë nga luftërat e udhëhequra nga SHBA në Irak e Afganistan në vitet 1991, 2001 dhe 2003. Dy administratat e mëparshme amerikane ia hapën dyert e Irakut regjimit të Iranit dhe e lanë të fitonte pushtet në Irak e Siri pa paguar asnjë çmim. Për vite të tëra, ata i kanë mbyllur sytë ndaj agresionit rajonal të regjimit dhe përpjekjeve të paligjshme të tij për të ndërtuar armë bërthamore. Administrata Clinton madje e pati futur MEK-un në listën e zezë në vitin 1997, një veprim që një zyrtar i lartë amerikan e pati përshkruar si ‘gjest mirëdashjeje’ ndaj Teheranit. (Në 2012-ën, administrata Obama u detyrua ta hiqte grupin nga kjo listë nga Gjykata amerikane e Apelit.) Me pak fjalë, faktori më i rëndësishëm që e ka shpëtuar regjimin nga rrëzimi ka qenë politika e paqësimit.
Por administrata Trump, e cila kërkon t’i japë fund programeve bërthamore e raketore të regjimit si dhe agresionit të tij rajonal, ia ka hequr litarin e shpëtimit regjimit. Pa politikën e paqësimit, regjimi nuk do të kishte mundur kurrë të fitonte ndikim në Irak, Siri, Liban e Jemen, dhe do t’i kishte ardhur fundi nga populli iranian. Të gjithë e mbajmë mend që në 2009-ën kur miliona iranianë thërrisnin nëpër rrugë për përmbysjen e regjimit, Presidenti amerikan ia shtriu dorën Khamenei-t. Javën e shkuar, Khamenei rikujtoi faktin që merrte letra të vazhdueshme miqësie nga Presidenti Obama.
Këta tre faktorë kanë sjellë krizën e vdekjes për regjimin.
Mullahët tani kanë dy shtigje, njëri më i rrezikshëm se tjetri.
Shtegu 1: Regjimi i jep fund veprimtarive të paligjshme bërthamore e raketore, luftënxitjes e veprimtarive terroriste dhe largohet nga Iraku, Siria, Jemeni e Libani. Ky shteg do të përbënte fundin e sundimit të Liderit Suprem. Do të çonte në protesta të mëdha anti-regjim dhe në rrëzimin e regjimit. Diktatura fetare është e paaftë të reformohet, pasi çdo reformë e vërtetë do të çonte në përmbysjen e saj. Khamenei e ka thënë shumë herë që një ndryshim në sjellje është i barabartë me një ndryshim regjimi.
Shtegu 2: Regjimi i mbyll radhët e tij dhe bëhet më armiqësor ndaj komunitetit ndërkombëtar. Vazhdon me politikat shkatërruese edhe nëse ato çojnë në luftë. Edhe ky opsion është shumë i pashpresë për regjimin.
Regjimi e di që të dyja shtigjet parashikojnë fundin e tij. Kështu që po përdor strategjinë e fitimit të kohës.
Ai po përpiqet t’i shmanget përgjigjes ndaj kërkesave të SHBA-së duke e mbajtur kokën ulur deri pas zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës në SHBA. Por duket që edhe kjo strategji po dështon, meqë regjimi është i paaftë t’i përballojë sanksionet e rënda edhe për 18 muaj të tjerë, dhe nuk mund të garantojë që Presidenti amerikan apo politika amerikane do të ndryshojë në fund të 2020-ës. Ç’është më e rëndësishmja, ai nuk e ka të mundur t’i kontrollojë trazirat e brendshme dhe ndikimin e opozitës.
Ndryshimet e fundit në lidershipin e Gardës Revolucionare (IRGC) dhe caktimi i mullahut Ebrahim Raisi, një autor i rëndësishëm i masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën, si Kryegjyqtar i Iranit, janë hapa përgatitorë për të luftuar ndaj një skenari përmbysjeje. Këto shkojnë paralelisht me sulmet mbi anije-cisternat ndërkombëtare të naftës dhe sulmet me raketa mbi ambasadën amerikane në Bagdad.
Të gjitha shenjat tregojnë se populli dhe Rezistenca e Iranit kanë hyrë në fazën përfundimtare të konfliktit me regjimin e mullahëve. Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA dhe BE, duhet të ndërmarrë një politikë të rreptë në mënyrë që të mos e lejojë regjimin të fitojë kohë për të vrarë popullin iranian e për të përhapur terrorizëm e luftë përtej kufijve të tij.