Thursday, March 28, 2024

Iran: Intensifikohet Trysnia mbi të Burgosurit Politikë

 

Ithtarët e regjimit të mullahëve në Burgun Gohardasht në Karaj e kanë rritur presionin mbi të burgosurit politikë në Sallën 10, Godina 4. Duke shkatërruar të dhënat mjekësore të të burgosurve dhe duke mos i lejuar të transferohen në një spital apo as në një klinikë burgu, ata po i torturojnë fizikisht dhe psikologjikisht.

Majid Asadi, një i burgosur politik, vuan nga një shumëllojshmëri sëmundjesh, duke përfshirë një sëmundje akute të sistemit tretës me dhimbje të padurueshme. Arash Sadeqi-n, i cili ndodhet në një situatë të rëndë pas grevave të gjata të urisë në protestë ndaj kushteve të këqija të burgut dhe arrestimeve arbitrare, e kthyen menjëherë në burg pas operimit dhe iu mohua kujdesi minimal mjekësor. Hassan Sadeqi, një i burgosur tjetër, është në rrezik të këputjes së venave të syrit dhe të verbimit, për shkak të goditjeve të torturuesve në kokë e në sy. Mohammad Banazadeh Amirkhizi është gjithashtu në kushte të rënda për shkak të problemeve me zemrën dhe moshës së thyer.

Salla 10 e Godinës 4 të Burgut Gohardasht është një burg i sigurisë së lartë të cilit i mungojnë kushtet bazë. Me ardhjen e stinës së ftohtë, të burgosurit vuajnë nga mungesa e mjeteve të ngrohjes, ujit të nxehtë për t’u larë, ventilimit, nga nivelet e ulëta të ushqyerjes dhe shëndetit.

Ndërkohë, qindra të burgosur në burgun qendror të Orumieh protestuan për vetëvrasjen e një të burgosuri, për situatën e rëndë të burgut dhe për masat mafioze të kreut të burgut. Protestuesit i nxorën jashtë kreun e burgut dhe të gjithë agjentët e avokatët nga godina.

Të burgosurve në burgun qendror të Orumieh u është mohuar kujdesi minimal mjekësor, dhe vetëm muajin e shkuar, tre të burgosur vdiqën për shkak të mungesës së trajtimit. 
Qindra të burgosur në Godinat 3 dhe 4 kanë vetëm tre orë në ditë për t’u larë. Në vend që të merret me problemet e të burgosurve, kreu i burgut u bën presion që të kursejnë e të pakësojnë konsumimin e ujit dhe energjisë. As dyqani i burgut nuk ka mundësi të plotësojë nevojat e të burgosurve.

Rezistenca Iraniane u bën thirrje të gjithë entiteteve përkatëse ndërkombëtare, duke përfshirë Komisionerin e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Raportuesin Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran si dhe Raportuesin mbi torturën, që ta dënojnë këtë trajtim çnjerëzor, dhe bën thirrje për formimin e një misioni të gjetjes së fakteve, për të adresuar situatën e të burgosurve dhe burgjeve, sidomos të të burgosurvve politikë në Iran.

Barbarizmi që qeveris Iranin është turpi i njerëzimit modern dhe duhet të refuzohet nga familja e kombeve, dhe udhëheqësit e tij duhet të përballen me drejtësinë për krimet që kanë kryer kundër njerëzimit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
12 Tetor 2018