Monday, February 6, 2023

Iran: 40 Vjet Pas Rrëmbimit të Pushtetit nga Teokratët

Nga Dowlat Nowrouzi, Përfaqësues i NCRI-së në Mbretërinë e Bashkuar

Gjatë katër dekadave të fundit, janë shkruar artikuj, libra, analiza dhe raporte të panumërta mbi natyrën e regjimit klerikal që sundon Iranin që kur ai e rrëmbeu pushtetin pas revolucionit kundër diktaturës së Shahut në vitin 1979.

Për shumë njerëz, pyetja pse një regjim fashist fetar i korruptuar mbetet ende në pushtet është një enigmë. Le t’i hedhim një sy realiteteve të Iranit sot.

Ajo që shohim sot është një avancim dhe kultivim natyral i dyzet viteve përpjekje për të drejtat themelore, liri dhe demokraci. Regjimi gjendet përballë krizave të paprecedent, të brendshme e të jashtme. Pavarësisht masave shtypëses në shkallë të gjerë, viti 2018 shënoi një epokë të re në luftën e popullit kundër regjimit përmes kryengritjeve e protestave të vazhdueshme duke rezultuar në mbi 10,000 lëvizje protestuese të përhapura në mbi 300 qytete në mbarë vendin. Skenat e paharrueshme të protestuesve të guximshëm, veçanërisht të grave dhe të rinjve, duke thirrur “Poshtë Khamenei, Poshtë Rouhani” dhe “Reformist, konservator, loja tani mbaroi”, së bashku me qindra akte të kryera nga njësitë e organizuara të rezistencës, duke përfshirë djegien e portreteve të mëdha të udhëheqësve të regjimit nëpër autostradat e rrugët kryesore, kanë kthyer një tjetër faqe të artë në historinë bashkëkohore të Iranit, që shumë shpejt do të çojë pa dyshim drejt një Irani të lirë.

Ashtu si të gjitha regjimet autoritare, mullahët përpiqen në fillim të fajësojnë të tjerët për problemet që kanë krijuar vetë, e pastaj t’i eksportojnë krizat e tyre përtej kufijve duke përdorur metoda për të cilat janë të zotë e të cilat u kanë bërë punë në të shkuarën, konkretisht luftënxitja në rajon, ndërhyrja në punët e shteteve të tjera dhe eksportimi i terrorizmit në botë. Interesant është fakti që këto janë shtyllat kryesore që i mundësojnë regjimit mbajtjen e pushtetit, nën hijen e një politike të gabuar paqësimi.

Katastrofa ekonomike që regjimi ka krijuar për popullin iranian i ka rrënjët në doktrinën e Khomeini-t që thotë se “Ekonomia është për gomarët”. Me fjalë të tjera, vetë ekzistenca e regjimit klerikal, me një ideologji të vjetëruar që shpërfill nevojat bazë të popullit, e ka çuar ekonominë në një rrugë pa krye. Tashmë të gjithë, duke përfshirë zyrtarët e lartë të regjimit, ankohen për papunësinë që e kalon shifrën 50% në disa qytete, faktin që më shumë se 80% e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë, shkatërrimin e plotë të fabrikave e njësive të prodhimit, si dhe korrupsionin e paprecedent ekonomik në nivelet më të larta.

Natyrisht, ky shkatërrim ekonomik nuk mund të ndreqet nga ata që vetë e kanë shkaktuar. Po ata sundues që kanë gjakun e 120,000 iranianëve në duart e tyre, duke përfshirë ekzekutimin e 30,000 të burgosurve politikë pjesë e MEK / PMOI në vitin 1988, ekzekutim i cili, sipas shumë ekspertëve, është vrasja masive më e madhe e të burgosurve politikë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk kanë ngurruar të kërcënojnë me gjenocid vende të tjera, si dhe të japin mbështetje ushtarake për grupe terroriste e paraushtarake në Irak, Siri, Liban, Jemen e të tjerë, ndërkohë që populli i tyre vuan ekonomikisht.

Regjimi i mullahëve është një rrezik “i qartë dhe prezent” për vetë qytetarët e tij, për vendet e rajonit dhe për botën. Mjafton të shohim vetëm pranimin nga vetë regjimi se ka mashtruar në bisedimet bërthamore, komplotin terrorist kundër tubimit më të madh të iranianëve në Paris në mbështetje të Alternativës së Presidentes së zgjedhur të NCRI-së, Maryam Rajavi, & MEK në qershor 2018, aktet terroriste në vende të tjera europiane, si dhe kapjen në flagrancë duke spiunuar mbi rezistencën iraniane në SHBA e në mbarë botën.

Njëherë, Rafsanjani, i cili ka patur një rol shumë të madh në mbajtjen e regjimit, deklaroi haptazi gjatë një lutjeje të së premtes se “e dimë si të merremi me Perëndimin. Nëse … marrim një britanik, një francez, një amerikan … peng, ata do të përulen ndaj kërkesave tona.” Pikërisht këtë gjë bëri Perëndimi në atë kohë. Rezistenca Iraniane ka paralajmëruar gjithmonë se paqësimi i regjimit, nën çfarëdo preteksti, vetëm sa do ta trimërojë atë që ta zgjerojë veprimtarinë terroriste, viktimat e së cilës do të jenë europianët. Ato që ndodhën në 2018-ën, duke përfshirë komplotet e parandaluara terroriste në tokën europiane dhe mobilizimin e rrjetit të “gazetarëve miqësorë” për të përgatitur terrenin për akte terroriste, e vërtetuan edhe një herë se koha e tolerimit të sjelljeve të tilla ka mbaruar. 
Gjatë 2018-ës, populli iranian ka treguar me guxim se nuk do të pranojë asgjë tjetër përveç ndryshimit të regjimit. Me sa duket, politika e paqësimit ka rezultuar gjithashtu e padobishme edhe për ata që dikur e përkrahnin. Ndryshe nga shumë skenare të ngjashme, ku në mungesë të një opozite të organizuar demokratike, Perëndimit i mbetej veç të pranonte status quo-në, prania e fuqishme e opozitës demokratike të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), me një platformë me themel të fortë, e cila gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit iranian si dhe të mijëra politikanëve e parlamentarëve në vendet demokratike, jep një udhërrëfyes të qartë për të ardhmen e Iranit. Inter alia, plani me 10 pika i znj. Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e NCRI-së, bën thirrje për një republikë të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti, barazinë gjinore, ekonominë e tregut të lirë dhe një Iran jo-bërthamor.

Komuniteti Ndërkombëtar duhet ta njohë të drejtën e popullit iranian për ta përmbysur regjimin fetar të pazgjedhur përmes rezistencës së tij. Iranianët nuk duan asgjë më shumë sesa braktisjen e politikës së dështuar të paqësimit të torturuesve dhe uzurpatorëve të aseteve e kapitaleve të tyre, si dhe njohjen e të drejtave të tyre. Konferenca e Varshavës më 13 dhe 14 shkurt mund të jetë e sukseshme duke bërë pikërisht këtë.

Dowlat Nowrouzi
Përfaqësues i NCRI-së në Mbretërinë e Bashkuar