Friday, March 29, 2024

Iran: Historia e Patreguar e një Nëne, për Ekzekutimin e të Birit

Kanë kaluar disa javë që nga ekzekutimi i dhimbshëm i një atleti të ri në Iran. Dënimi me vdekje i Bahman u anullua në minutin e fundit, dhe lajmi i faljes së tij iu dha edhe familjes; por gjykata e regjimit kreu ekzekutimin e tij ditën tjetër, duke i lënë të gjithë në befasim të plotë.

Të hënën, më 16 prill, kur familja e vizitoi Bahman-in për herë të fundit, ata morën një telefonatë ku informoheshin se ai ishte falur. Bahman kishte shpëtuar nga vdekja, dhe familja e tij ishte aq e lumtur saqë planifikuan një festë. Por vetëm pas pak, bota iu kthye përmbys pasi u njoftuan se dënimi me vdekje thjesht ishte shtyrë, jo anulluar.

Kanë kaluar disa javë që nga ekzekutimi i Bahman, por e ëma refuzon ta besojë vdekjen e tij. Ajo vazhdon të qajë dhe ta rishikojë atë ditë: “si është e mundur? Si mund të ndryshojë gjithëçka në një gjysëm dite? Nëse e kishin në plan ta ekzekutonin, pse na thanë që e kishin falur?”.

Ajo kujton: “Të hënën (16 prill) shkuam në burg për t’i thënë lamtumirë Bahman-it. Do ta varnin të nesërmen në mëngjes. Ne shkuam te të gjitha organizatat që na shkuan në mendje, për të kërkuar ndihmë; por nuk nxorëm gjë në dritë”; deri sa “një burrë më telefonoi dhe më tha i emocionuar se Bahman-in e kishin falur, dhe ekzekutimi ishte anulluar. Nuk u besoja dot veshëve, kështu që e pyeta disa herë për ta konfirmuar. Të gjitha detajet ishin të sakta. Isha kaq e lumtur sa mezi merrja frymë. E ndava lajmin edhe me tim shoq. Burgu na informoi që Bahman ishte transferuar nga izolimi në burg. Sakrifikuam një barkë (si pjesë të një rituali fetar) për të festuar; të afërmit dhe miqtë na vizituan për të na uruar. Folëm gjithashtu edhe me Bahman-in në telefon. Tërë kohën më falenderonte për lutjet e mia dhe më thoshte se ma kishte borxh jetën”.

Fatkeqësisht, lumturia e tyre nuk zgjati shumë. Ndërsa lajmi i faljes së Bahman-it (i cili, sic u pohua nga disa veta, ishte miratuar nga zyrtarë të lartë) po publikohej në media, gjykata e Hamedan e mohonte lajmin, dhe ia ngarkoi këtë informacion të rremë disa gabimeve juridike. Avokati i Bahman-it u informua gjithashtu se ekzekutimi do të kryhej mëngjesin tjetër, në burgun Hamedan.

Kjo ishte e pabesueshme. Familja e Bahmanit u trondit, pasi vetëm pak orë më parë kishin qenë duke festuar anullimin e dënimit të tij. Pavarësisht se nuk kishte qenë dënuar asnjëherë më përpara për krime, Bahman u ekzekutua në 6:30 të mëngjesit të martën më 17 prill 2018.

Sipas raportit vjetor të Amnesty International, Irani mban nivelin më të lartë të ekzekutimit të qytetarëve të vet.