Thirrje grupeve ndërkombëtare për të liruar grevistët e arrestuar
Të mërkurën, 30 maj, greva mbarëkombëtare e shoferëve të kamionëve dhe automjeteve të rënda vazhdoi për të nëntën ditë rresht. Në disa qytete, si Sanandaj (provinca Kurdistan) shoferët e taksive dolën gjithashtu në grevë në shenjë solidariteti me shoferët e automjeteve të rënda. Greva vazhdoi ndërsa në dy ditët e shkuara agjentët e regjimit klerikal u përpoqën ta prishnin grevën me masa represive.
Në Doroud (provinca Lorestan), një numër shoferësh të kamionëve të cilët refuzuan të ngarkoheshin me mallra, u arrestuan. Në Amirabad (provinca Mazandaran), forcat represive sulmuan grevistët dhe arrestuan disa prej tyre. Të hënën, qindra shoferë kamionësh që po bënin rrugën nga Kovar (provinca Fars) me qëllimin për t’iu bashkuar grevistëve në Shiraz u sulmuan dhe dhjetra prej tyre u arrestuan.
Në Zarrinshahr (provinca Isfahan), rojat anti-rebelim u mobilizuan për të shpërndarë grevistët dhe shoferët e kamionëve të cilët ishin mbledhur në Sheshin e Zarzavateve (Tareh Bar). Nga kundërsulmi i grevistëve, ata u detyruan të tërhiqeshin.
Në Fabrikën e Çimentos së Mashhadit Lindor, shoferët grevistë identifikuan një numër rimorkiosh që ishin ngarkuar, i shkarkuan nga çimentoja, dhe nuk i lejuan të lëvizin.
Në Khorramdareh (provinca Zanjan), forcat e sigurisë së shtetit kishin planifikuar të hiqnin targat e kamionëve të grevistëve por u detyruan të tërhiqen nga qëndresa e shoferëve.
Shoferët e kamionëve që kanë bërë grevë që nga 22 maji kërkojnë rritje të tarifave të mallrave, dalje në pension me 25 vite shërbim, duke marrë në konsideratë punën e rëndë të shoferëve; kërkojnë reduktimin e kostove të sigurimit, reduktimin e zhvatjes nga regjimi, duke përfshirë taksat apo komisionet rrugore, të cilat ua vendosin agjentët e regjimit në çdo terminal sipas mendjes së tyre dhe pa asnjë sistem specifik; kërkojnë uljen e kostos së pjesëve të këmbimit, dorëheqjen e kryetarit të unionit të motoristëve dhe shoferëve të kamionëve, dhe ndalimin e masave represive të policisë kundër shoferëve.