Të dielën, më 9 dhjetor, punëtorët e Grupit Kombëtar Industrial të Çelikut në Ahvaz vazhduan grevën e demonstratat e tyre për të tridhjetën ditë. Duke marshuar në rrugët e qytetit e duke kaluar pranë institucioneve shtetërore, punëtorët, të mbështetur nga njerëz të tjerë, thërrisnin:
“Punëtorët e burgosur duhet të lirohen”; “As kërcënimet, as burgu nuk bëjnë punë më”; “Thirrja e çdo punëtori: Vdekje Tiranit”; “Punëtorët më mirë vdesin sesa të pranojnë poshtërimin”; “Ngrihemi; vdesim derisa t’i marrim të drejtat tona”; “Vendi ynë është vend hajdutësh, është i vetmi në botë”; “Rouhani, gënjeshtari; ku është çelësi yt për problemet?” Punëtorët mbanin banderola ku shkruhej: “Mos i sakrifikoni punëtorët për mafian e brokerimit”; “A nuk është heshtja e autoriteteve ndaj Mafias arsyeja e bashkëfajësisë së tyre?”
Kjo grevë e demonstratë e guximshme zhvillohet ndërkohë që liderët e regjimit, përmes kërcënimeve, stimujve e premtimeve mashtruese, përpiqen t’i detyrojnë punëtorët që ta ndalin grevën. Megjithatë, punëtorët e kanë theksuar se do t’i vazhdojnë protestat derisa t’i arrijnë të gjitha qëllimet e tyre, përfshirë rikthimin e kompanisë në strukturën e qeverisë, krijimin e të gjitha linjave të prodhimit, ofrimin e pajisjeve e pjesëve të nevojshme, zgjidhjen e problemit të sigurimit të punëtorëve, dhe pagesën e rregullt e në kohë të rrogave të tyre.
Edhe punëtorët e Kallam-sheqerit Haft Tapeh e rifilluan protestën në mëngjesin e së dielës. Ata protestojnë ndaj premtimeve boshe të regjimit për të liruar përfaqësuesit e arrestuar të punëtorëve, dhe thanë se nuk do t’i tolerojnë kaq shumë premtime të rreme.
Në të njëjtën kohë, shoferët e zemëruar të Kompanisë Jugore të Shpimit në periferitë e qytetit Ahvaz, dolën në grevë në protestë kundër mos-marrjes së rrogave dhe kushteve të rënda të jetesës. Ata bllokuan rrugën e Ahvazit në kryqëzimin e aeroportit.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
9 dhjetor 2018