Të enjten më 15 nëntor, punëtorët e zellshëm të Kompleksit Industrial të Kallam Sheqerit Haft Tappeh vazhduan grevën e tyre të guximshme për të njëmbëdhjetën ditë.
Duke thirrur “Mos kini frikë, jemi të gjithë bashkë!”, “As kërcënimet, as burgu nuk bëjnë punë më!”, “Sot është ditë zie, jeta e punëtorit varet në fije të perit sot”, “Një vjedhje më pak, dhe problemi ynë zgjidhet”, ata bënë demonstratë në rrugët e Shush dhe pastaj u mblodhën përpara zyrës së guvernatorit të regjimit. Njerëzit e qytetit Shush i përkrahën kërkesat e tyre duke iu bashkuar tubimit. Në fjalimet e tyre, punëtorët protestuan kundër premtimeve boshe të regjimit dhe kundër indiferencës që autoritetet e regjimit tregojnë ndaj situatës së tyre.
Fabrika e Kallam Sheqerit Haft Tappeh, e cila ka qenë një industri magnet e krijimit të vendeve të punës në Khuzestan që para gjashtë dekadash, ndodhet në prag të shkatërrimit si rezultat i grabitjeve nga zyrtarët e regjimit në emër të privatizimit. Punëtorët e varfër të këtij kompleksi industrial mbajnë një barrë të rëndë e të padurueshme për shkak të mos-pagesës së rrogave e benefiteve të tyre, varfërisë e urisë, dhe pamundësisë për të shlyer borxhet e rënda. Disa prej tyre kanë kryer vetëvrasje në shenjë proteste.
Rezistenca Iraniane përshëndet punëtorët e zellshëm e të guximshëm të Fabrikës së Kallam Sheqerit Haft Tappeh, të cilët janë ngritur në solidaritet e unitet për të marrë të drejtat e tyre, dhe u bën thirrje bashkëatdhetarëve, sidomos punëtorëve të tjerë, që të shprehin solidaritet e t’i mbështesin këta punëtorë.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
15 nëntor 2018