Saturday, July 27, 2024

ingrid betancourt:faleminderit shqiperi

 Politikanja dhe aktivistja e njohur Ingrid Betancourt vlerëson angazhimin e Shqipërisë në strehimin e muxhahedinëve iranianë. Ajo ndodhet në Shqipëri dhe në një intervistë për televizionin Klan thotë se vendi ynë duhet marrë si shembull për respektimin e të drejtave të njeriut.

Dy janë arsyet që Ingrid Betancourt, politikanen dhe aktivisten e të drejtave të njeriut, e sollën në Tiranë: për t’i thënë faleminderit vendit tonë për mikpritjen e më shumë se dy mijë muxhahedinëve iranianë, ndërsa priten të tjerë të vijnë, dhe për t’i takuar ata, disa prej të cilëve janë miqtë e saj. Një nga personalitetet më të njohura në botë, që synoi të ishte gruaja e parë presidente në Kolumbi, por që u bë gruaja e parë që u mor peng për gjashtë vite nga forcat e armatosura revolucionare, e sheh Shqipërinë me admirim, në angazhimin e saj për të strehuar refugjatët.

“Ndihem e nderuar që jam këtu. Qeveritë e partive të ndryshme ishin të parat që mirëpritën refugjatët iranianë. Kjo e ka bërë vendin tuaj të njohur, një shembull në arenën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”

Si një nga mbështetëset e opozitës iraniane, për rikthimin e demokracisë, barazisë gjinore, lirisë në një vend ku Ingrid Betancourt thotë se ekzekutimet kryhen në publik dhe gratë sulmohen me acid në fytyrë se nuk mbajnë shami, Shqipëria është modeli ku fanatizmi nuk gjen shprehje, pavarësisht qasjeve politike.

“MEK është partia e vetme opozitare në Iran. Ata janë myslimanë por demokratë. Vendi juaj është me shumicë myslimane, por këtu nuk ekziston fanatizmi. Pra në këtë ide, është një tjetër shembull i mirë.”

Për t’i thënë stop dhunës, që forma e saj më e ashpër është terrorizmi, Betancourt ka një recetë të saj. “Të flasim për të, të kuptojmë pse ata janë të fuqishëm duke shpërndarë frikën, siç janë ekzekutimet publike, të mos biem në dëshpërim. Historia na tregon se betejat për demokraci i kemi fituar. Të mos përçahemi dhe, veçanërisht, të mos kemi dyshime. Të jemi të qartë në qëndrimet tona, sepse nëse ka diçka që ISIS e bën mirë, është disinformimi.”