Një i burgosur politik iranian ka nisur një grevë urie për të protestuar ndaj kushteve çnjerëzore që është detyruar të durojë ndërkohë që mbahej në izolim.
Kjo nuk është hera e parë që Arzhang Davoudi, mësues dhe kritik i hapur i regjimit iranian, bën grevë urie për shkak të kushteve të këqija të burgut.
Në shkurt 2018, ai nisi një grevë urie në sektorin e karantinës në burgun Zahedan pasi ishte privuar nga ajri i freskët dhe drita e diellit për gjashtë muaj.
Në mars, Davoudi shkroi një letër të hapur rreth grevës së tij, në të cilën përshkruante se si burgosja në izolim po ndikonte për keq në shëndetin e tij, duke i shkaktuar sëmundje të lëkurës për shkak të kushteve jo-higjenike të qelisë.
Ai tha: “Kjo shtypje e paturp dhe e gjatë e të drejtave të mia ma ka përkeqësuar gjendjen e zemrës dhe diabetin. Ka shkaktuar që shikimi të më zbehet.”
Davoudi ishte privuar jo vetëm nga kontakti ballë për ballë me njerëz të tjerë, por edhe nga telefonatat, leximi i librave, TV, mjekimi, ushqimi i përshtatshëm, dhe gjëra të tjera.
Davoudi vuri në dukje se këto praktika “mizore” të Regjimit diheshin mirë nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei dhe trajtimi nga autoritetet e burgut nuk mund të ishte më i ndryshëm nga ai i popullit iranian.
Ai shkruan: “Kjo natyrë shihet pa përjashtim në të gjitha format e autoriteteve të këtij regjimi të cilat veprojnë gjithmonë me dhunë.”
Më pas ai i bëri thirrje Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hossein, dhe organizatave të tjera të të drejtave njerëzore që t’i inspektonin “burgjet mesjetare” për të konstatuar raste të mëtejshme abuzimesh të të drejtave njerëzore.
Davoudi, 65, u transferua në burgun Zahedan në janar të 2018-ës, ku është mbajtur në izolim dhe nën torturë deri më sot.
Ai u thirr në zyrën e shefit të burgut në fillim të 2018-ës, me duar e këmbë të lidhura me zinxhirë, dhe kur u largua, zëvendës-shefi e shtyu nga shkallët në katin e dytë.
Meqë ishte i lidhur me zinxhirë, ai nuk mundi të mbante ekuilibrin dhe u rrëzua keq, duke thyer kockën e kofshës së djathtë dhe tibia-n e majtë, duke nxjerrë shpatullën, e duke plagosur shtyllën kurrizore.
Sipas mjekëve, ai nuk do të mundë të ecë lirshëm deri në fund të jetës. Aktualisht, ai ec me ndihmën e një shkopi.
Davoudi, i cili ka kaluar disa vite në burgjet e regjimit iranian për shkak të aktivizmit të tij, mban mbi vete gjithë këtë dhimbje, ndërkohë që mbahet në një dhomë të errët e të pisët.