Punëtorët fëmijë në Iran po abuzohen fizikisht dhe seksualisht nga zyrtarët publikë vendorë, ndërsa përpiqen të fitojnë sasi të vogla parash duke punuar nëpër rrugë, sipas një videoje të publikuar nga media shtetërore Asr-e Iran.
Në këtë video shqetësuese, një vajzë e vogël tregon se ajo së bashku me dy nga vëllezërit e saj po shisnin arra në rrugë, ndërkohë që bënin edhe detyrat e shtëpisë, kur zyrtarë të Regjimit u afruan dhe i kapën tre fëmijët.
Ajo thotë se agjentët ia hoqën rrobat vëllait të saj të madh dhe nisën ta rrihnin me shkopinj, gjë që e bëri të qante vëllain e vogël. Më pas, agjentët u përpoqën ta detyronin vajzën t’ua lustronte këpucët dhe kur ajo refuzoi, ata ia fërkuan fytyrën me lustër të zezë.
Një punonjës social, duke komentuar mbi këtë rast, tha se fëmijët ishin abuzuar edhe seksualisht. Vajza ishte detyruar të zhvishej para agjentëve në stacionin e policisë, pasi e kishin ndarë nga vëllezërit.
Një punëtore tjetër fëmijë, shoqe e vajzës së vogël, tha se vajza i kishte thënë asaj për abuzimin seksual, por kur kishte shkuar në zyrën vendore të qeverisë për ta raportuar, nuk e kishin besuar.
Edhe pse nuk ndodh shpesh që media shtetërore në Iran të kritikojë qeverinë, kjo nuk është hera e parë që media raporton mbi përdhunimin e punëtorëve fëmijë.
Në vitin 2017, Salamat News dhe Roknar bënë një raport mbi sulmimin seksual ndaj punëtoreve fëmijë femra, raport i cili citonte anëtaren e Këshillit të Qytetit të Teheranit, Elham Fakhari, duke thënë se “abuzimi seksual është plaga më e rëndë midis fëmijëve të vegjël që punojnë”. Raportet vinin në dukje se për shkak të varfërisë, shumë fëmijë detyrohen të punojnë, gjë që i vendos në situata të rrezikshme dhe në rrezik më të madh për abuzim seksual.
Ndërsa në 2018-ën, ISNA citoi Reza Ghadimi-n, menaxherin e Organizatës së Shërbimeve Sociale të Teheranit, duke thënë se 90% e punëtorëve fëmijë në Iran “ngacmohen”. Edhe pse ai u step në këtë gjë dhe tha se nuk e kishte fjalën për abuzim seksual, gazeta Shahrvand tha se posedonte një regjistrim audio të komenteve fillestare të Ghadimi-t në të cilat ai deklaronte qartë se 90% e punëtorëve fëmijë “abuzohen seksualisht”.
Problemi i punës së fëmijëve në Iran është një krizë në rritje, e cila intensifikohet nga varfëria e popullit iranian për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit të qeverisë.
Llogaritet se rreth 7 milion fëmijë iranianë punojnë aktualisht. Edhe pse numri i saktë i punëtorëve fëmijë nuk dihet, pasi shumica e tyre punojnë pa dokumenta, numri po rritet, ndërkohë që mosha mesatare e punëtorëve fëmijë po bie. Shumë prej tyre detyrohen ta lënë shkollën e të bëjnë punë të rrezikshme, si mbledhja e mbeturinave apo punët e rënda, ndërkohë që nuk mbrohen nga asnjë lloj ligji të mbrojtjes në vendin e punës pasi janë nën moshën zyrtare të punës, 15 vjeç.