Friday, March 29, 2024

I Burgosuri iranian varet në publik

 

 Të enjten, më 14 mars 2019, një i burgosur u var publikisht në Jahrom të Iranit jugor.

Gjithashtu të hënën më 11 mars u ekzekutuan tre të burgosur në burgun Birjand, në veri-lindje të Iranit, të akuzuar për vrasjen e dy agjentëve të armatosur të regjimit. Dy nga të ekzekutuarit ishin at e bir.

Një ditë më parë, regjimi iranian ekzekutoi një tjetër të burgosur në Burgun Qendror të Zahedanit, në Iranin jug-lindor. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Disa burime kanë thënë se ai ka qenë anëtar i ekipit kombëtar iranian të kikboksit.

Këto ekzekutime janë kryer pas emërimit të Ebrahim Raisi-t, njërit prej personave përgjegjës për ekzekutimet masive në masakrën e 1988-ës, si kryetar i drejtësisë së Iranit nga udhëheqësi suprem i regjimit, Ali Khamenei.

Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e përurimit, Raisi vuri theksin mbi metodat e masakrës, ekzekutimit dhe shtypjes të përdorura për ta mbrojtur regjimin gjatë 40 viteve të shkuara. Ai tha se do ta konsideronte deklaratën e Khamenei-t për “fazën e dytë” si angazhim të tij dhe se siguria e regjimit është prioriteti i tij absolut dhe se drejtësia është në plan të dytë krahasuar me të.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez, dhe Raportuesi Specila mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, Javaid Rehman, kanë shprehur shqetësim lidhur me numrin në rritje të ekzekutimeve, duke i kërkuar regjimit t’i japë fund varjeve në publik.

Sipas raportit vjetor nga Iran Human Rights (IHR), në Iran janë kryer të paktën 13 ekzekutime publike në 2018-ën.

Gjatë seancës së 40-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Javaid Rehman, Raportuesi Special i të drejtave njerëzore në Iran, tha, “Një pjesë e madhe e popullit iranian e kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes protestave, demonstratave, dhe grevave. Njerëz nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë – nga shoferët e kamionëve tek mësuesit e punëtorët e fabrikave – në mbarë vendin kanë protestuar. Në këtë kontekst të sfidave të mëdha po shtohen shqetësimet për të drejtat njerëzore, duke përfshirë të drejtat për grumbullimin paqësor dhe shoqërimin në Iran.”

“Metodat shqetësuese të frikësimit, arrestimit, persekutimit, dhe keqtrajtimit të mbrojtësve të të drejtave njerëzore, avokatëve dhe aktivistëve të të drejtave të punëtorëve në Iran sinjalizojnë një përgjigje gjithnjë e më të ashpër të Shtetit ndaj protestave dhe grevave në vend,” tha Rahman, duke i bërë thirrje regjimit iranian që të lirojë të gjithë ata që janë burgosur për faktin se kanë ushtruar të drejtat e tyre.

Rehman foli gjithashtu edhe për kushtet e këqija të të burgosurve me shtetësi të dyfishtë, shtypjen e minoriteteve etnike dhe fetare, dhe faktin se që nga viti 2013 të paktën 33 minorenë janë ekzekutuar dhe 85 të tjerë ndodhen në burg në pritje të ekzekutimit.