Nga Shahriar Kia
Vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për t’i vendosur Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian në listën e organizatave të huaja terroriste mund ta lëndojë në mënyrë të konsiderueshme ekonominë tashmë të dëmtuar të regjimit, sipas analistëve në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS).
Kjo lëvizje bën pjesë në fushatën e SHBA-së për “presion maksimal” mbi regjimin iranian, fushatë e cila është projektuar për t’i rikthyer mullahët në tryezën e negociatave lidhur me sjelljen e tyre malinje.
Dr. Raz Zimmt, një ekspert për Iranin në INSS, tha se ky vendim ka “potencialin të krijojë dëme të mëdha”.
IRGC, e cila u krijua nga Khomeini pas Revolucionit Islamik të 1979-ës si ushtria e tij personale, kontrollon tashmë rreth një të tretën e ekonomisë iraniane përmes vartësve dhe trusteve, duke përfshirë programin bërthamor, industritë e naftës, gazit dhe telekomunikimit, dhe projekte madhore të infrastrukturës.
Megjithatë, është plotësisht e mundshme që SHBA të sigurohet që të marrë në shënjestër vetëm vendim-marrësit. Në fund të fundit, një pjesë e madhe e veprimtarisë së IRGC-së është tashmë e sanksionuar, duke përfshirë programet bërthamore dhe të raketave të regjimit dhe Forcën Quds, një krah elitar i armatosur i IRGC-së.
Kjo lëvizje do të shënojë gjithsesi një përshkallëzim të politikës amerikane ndaj Iranit, ndërkohë që SHBA përgatitet të vërë sanksione të mëtejshme ekonomike mbi regjimin e Iranit gjatë muajve të ardhshëm për agresionin ndërkombëtar iranian dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Eksperti i punëve të Iranit, Dr. Eldad Pardo, tha se kjo lëvizje do ta rrisë gjithashtu impaktin e sanksioneve ekonomike të vendosura tashmë nga SHBA.
Ai tha: “Tjetër gjë është të shkelësh sanksionet amerikane, e krejt tjetër të mbështesësh një organizatë terroriste, kështu që kjo gjë do t’i shtojë frikërat e disa biznesmenëve lidhur me marrëdhëniet me Iranin. Në thelb, nëse dëshiron të merresh me Iranin, duhet të merresh me Gardën Revolucionare pasi ajo është e përfshirë në çdo gjë.”
Ai vazhdoi: “Nuk është vendim i zgjuar të investosh në një vend i cili është në konfrontim direkt me Shtetet e Bashkuara. Shumica dërrmuese e popullit iranian dëshiron të qëndrojë në paktin bërthamor; ata duan ta hapin ekonominë; duan një transformim të regjimit. Kjo do ta shtojë këtë presion.”