Friday, March 29, 2024

Festimet e Vitit të Ri Iranian Zhvillohen në Parlamentin Britanik

Të martën, më 2 prill, një numër anëtarësh të Parlamentit britanik festuan Nowruz-in, Vitin e Ri pers, së bashku me një grup anglo-iranianësh. Eventi u zhvillua në Parlament dhe anëtarët shfrytëzuan rastin për të shprehur mbështetjen e tyre për Rezistencën Iraniane.

Shumë nga anëtarët shprehën keqardhjen dhe ngushëllimet e tyre për njerëzit e shumtë në Iran, të cilët vuajnë për shkak të përmbytjeve të fundit që kanë prekur pjesë të mëdha të vendit.

Folësit theksuan se regjimi iranian ndodhet në një situatë shumë delikate për shkak të izolimit ndërkombëtar. Ata nënvizuan se regjimi është tashmë më i dobët se kurrë dhe i bënë thirrje qeverisë britanike që të mos heshtë për sa i përket sjelljes së tij luftarake.

Folësit i bënë gjithashtu thirrje qeverisë britanike që të shprehë kundërshtimin e saj për mënyrën se si regjimi po e shtyp popullin në vijim të kësaj krize të tmerrshme përmbytjesh.

Shpresa ishte një ndjenjë që shumë persona e ndanin bashkë në këtë event. Shpresa që populli i Iranit do të dalë fitimtar në përpjekjen e tij për liri e demokraci. Shpresa që sundimi i terrorit të regjimit do të marrë fund së shpejti.

Dr. Mattheë Offord MP tha se kishte kënaqësi ta prezantonte këtë event dhe e përshkroi vitin e shkuar në Iran si “një vit historik ndryshimi”. Ai tha se e miraton plotësisht vendimin e Zyrës së Brendshme për ta etiketuar të gjithë grupin Hezbollah si organizatë terroriste dhe bëri thirrje që një masë e ngjashme të merret edhe lidhur me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit dhe IRGC-në. Edhe pse e pranoi që një pjesë e Ministrisë së Inteligjencës është futur në listën e zezë nga Bashkimi Europian pas tentativës së parandaluar për të shpërthyer një bombë në tubimin e opozitës në Paris vitin e shkuar, ai theksoi se kjo gjë nuk është e mjaftueshme.

Si përfaqësues i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, Farzin Hashemi i falenderoi anëtarët e parlamentit britanik për mbështetjen e tyre. Ai u kujtoi të pranishëmve se ndryshimi në Iran është “i arritshëm” dhe se populli i Iranit meriton të jetojë në një vend demokratik e të lirë. Z. Hashemi tha se është populli i Iranit ai që do ta “shkruajë e ta krijojë një fat të tillë me duart e veta”. “Dyert e Iranit janë të hapura për të përqafuar një të ardhme pa shtypje, pabarazi e padrejtësi; një republikë të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti; një vend që sundohet nga vota dhe sovraniteti i popullit të vet, ku votat e popullit do të kenë fjalën e parë e të fundit.”

Ish Sekretari i Shtetit për Uellsin, Rt Hon David Jones MP, foli rreth frikës në rritje që regjimi ka nga opozita, duke thënë se ka dështuar në eliminimin e anëtarëve të saj përmes komploteve terroriste që fatmirësisht janë parandaluar.

Si përfundim, anëtarët e Parlamentit britanik së bashku me anëtarët e komuniteteve anglo-iraniane i bënë thirrje qeverisë britanike që të punojë me BE-në për të ushtruar presion mbi regjimin iranian. Ata thanë se qeveria duhet të ndërmarrë një politikë të rreptë ndaj Iranit, duke marrë parasysh dëshirën e popullit për liri, demokraci dhe ndryshim. Ata theksuan gjithashtu se NCRI ekziston si një alternativë e vlefshme ndaj regjimit iranian.