Fëmijët Iranianë Privohen nga Arsimimi Sepse nuk Kanë Mundësi të Blejnë Këpucë

430

 Afërsisht 12,000 fëmijë në provincën Khuzestan, në Iranin jug-perëndimor, po privohen nga arsimimi dhe, sipas Zeinab Fathali Poor, një eksperteje në Zyrën e Mirëqenies Sociale të Khuzestan-it, shumë prej tyre nuk mund të frekuentojnë shkollën vetëm sepse nuk kanë këpucë.

Ky nivel varfërie duhet të jetë i paimagjinueshëm në një provincë kaq të pasur në burime nafte, por populli i Khuzestan-it, ashtu si shumica e shtetasve iranianë, janë varfëruar jashtëzakonisht për shkak të vendimit të regjimit Iranian për t’i shpenzuar paratë për zhvillimin e armëve bërthamore dhe për militantët terroristë, në vend që ta ndihmojë popullin iranian.

Në fakt, sipas menaxherit të përgjithshëm të Zyrës së përmirësimit të ushqyerjes në Ministrinë e Shëndetit, populli i Khuzestanit vuan nga kequshqyerja dhe shumë probleme të tjera.

Në Masjed Soleyman, një qytet në very-lindje të provincës, shtimi i varfërisë dhe papunësisë ka bërë që shifrat e vetëvrasjeve të rriten shumë, ndërsa në qytetin Ramhormoz, papunësia është shtuar me mbi 50%.

Në qytetin Shadegan, vetëm 17 km larg lumit Karun – një nga më të mëdhenjtë në Iran – njerëzit po vuajnë nga një mungesë e rëndë uji, të cilën e pranon edhe regjimi. Deputeti i tyre thotë që liqeni është tharë dhe Regjimi e ka transferuar ujin e tyre në vende të tjera, duke u lënë për të pirë vetëm ujë të papastër.

Ndërkohë në Ishullin Minoo dhe Shalamche, në perëndim të provincës, shumë familjeve u mungojnë uniformat shkollore për të gjitha vajzat e tyre, kështu që vajzave u duhet ta frekuentojnë shkollën me rradhë, herë njëra, herë tjetra. Shumë prej tyre e lënë fare shkollën pasi familjet nuk mund ta përballojnë koston e shkollimit, uniformave, apo as të udhëtimit.

Me pak fjalë, varfëria në provincën Khuzestan është e lidhur direkt me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e regjimit, gjë e cila vetëm sa përkeqësohet me kalimin e kohës.

Shumë fabrika janë mbyllur për shkak të politikave shkatërrimtare të regjimit, ndërsa shumë toka që dikur kanë qenë pjellore, si dhe hurma arabie, janë tharë për shkak të projekteve të Trupave të Gardës Revolucionare (IRGC) për ndërtimin e digave që e drejtojnë ujin për në fabrikat e tyre e jo për të prodhuar ushqim për popullin iranian.

Tani, kjo provincë po sheh gjithnjë e më shumë protesta e greva kundër Regjimit, të cilat janë pjesë e protestave mbarëkombëtare që filluan në dhjetor. Grevat e punëtorëve të Fabrikës së Kallam Sheqerit Haft Tapeh në Khuzestanin qendror dhe të shoferëve të taksive në mbarë provincën janë bërë pjesë e jetës së përditshme.

Regjimi po përgjigjet me masa shtypëse por populli i Khuzestanit po bëhet gati për një tjetër kryengritje kundër diktaturës.