Saturday, July 27, 2024

Ekspertët e OKB-së të shqetësuar për gjendjen e të burgosurve politikë në grevë urie në Iran

Gjenevë (31 gusht 2017) – Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, Asma Jahangir, shprehu sot shqetësimin e saj të thellë për gjendjen e një numri të burgosurish, që kanë qenë në grevën e zgjatur të urisë për të protestuar kundër transferimit të tyre në një seksion të sigurisë së lartë në burgun Rajai-Shahr në Karaj, në perëndim të Teheranit, dhe për trajtimin e tyre gjatë qëndrimit në paraburgim.

“Jam mjaft e alarmuar nga raportimet për përkeqësimin e kushteve mjekësore të të burgosurve në grevë urie dhe se torturat dhe keqtrajtimi i tyre kanë vijuar qysh prej transferimit të tyre”, tha znj. Jahangir.
Gjatë javëve të fundit, 53 të burgosur, duke përfshirë më shumë se 15 Bahai, u transferuan pa njoftim paraprak dhe pa u informuar për arsyet e transferimit të tyre. Asnjërit prej tyre nuk iu lejua të merrte sendet e tij personale, përfshirë ilaçet e tyre. Ata thuhet gjithashtu, se janë privuar nga produktet e higjenës, veshjet adekuate, kujdesi adekuat mjekësor dhe ushqimet që kanë blerë me paratë e tyre.
“Heqja e së drejtës të burgosurve për të patur kontakt me familjet, avokatët dhe përkujdesjes adekuate mjekësore është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha eksperti i të drejtave.
“Unë i bëj thirrje qeverisë së Iranit, të gjejë një zgjidhje të menjëhershme për situatën ekstreme të krijuar nga greva e urisë, përmes dialogut të mirëbesimit rreth ankesave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke siguruar respekt të plotë për dinjitetin dhe autonominë e tyre”, përfundoi eksperti.
Kjo deklaratë është miratuar nga Raportuesit Specialë mbi të drejtën e secilit për të gëzuar standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit fizik dhe mendor, Dainius Pūras, dhe për lirinë e fesë ose besimit, Ahmed Shaheed.