Ekonomia e Rrënuar e Iranit Mund të Jetë Shenjë e Ndryshimit të Regjimit

360

Regjimi Iranian është i bllokuar nga kriza të shumta, ku përfshihet edhe kaosi ekonomik që rezulton nga 40 vite keqmenaxhim e korrupsion. Por Regjimi, si gjithmonë, ia kalon fajin të tjerëve; qoftë grupeve kundërshtare brenda Regjimit apo “armiqve” të huaj, si SHBA.

Kreu i komisionit ekonomik në parlamentin iranian, Mohammadreza Pour-Ebrahimi, e ka sulmuar qeverinë e Hassan Rouhani-t për vendimet e politikave ekonomike, duke përfshirë përcaktimin artificial të kursit të këmbimit.

Në prill 2018, qeveria iranianeo krijoi një kurs këmbimi fiks prej 4,200 tomanësh iranianë përkundrejt dollarit amerikan, në mënyrë që t’i kundërvihej zhvlerësimit të monedhës dhe të lejonte blerësit të importonin të mirat esenciale / lëndë bazë dhe t’i shisnin ato me çmime të përballueshme për tregun iranian. (Kursi global i këmbimit në treg është mbi katër herë më i lartë: 13,500 toman për një dollar amerikan.)

Nuk është i habitshëm fakti që kjo gjë është shfrytëzuar nga personat e lidhur me Regjimin, të cilët blejnë lirë artikuj dhe i shesin ata me çmimet e tregut të lirë, duke marrë kështu një fitim të konsiderueshëm. Kjo është një nga arsyet kryesore të rritjes së madhe të çmimeve të ushqimeve.

Pour-Ebrahimi tha: “Disa herë e kam pyetur presidentin personalisht se kush i merr vendimet ekonomike? Ky është një mister për ne…Përcaktimi i vlerës [fikse] prej 4,200 [toman] për monedhën [amerikane] ishte një katastrofë për ekonominë iraniane dhe parashikimi ynë ishte se do ta shkatërronte vendin.”

Ai shpjegoi se kishte pyetur zëvendësin ekonomik të Rouhani-t, ministrin e atëhershëm të ekonomisë, dhe presidentin e atëhershëm të bankës qendrore, nëse ishin dakord me vendimin për t’i dhënë një vlerë fikse kursit të këmbimit dhe të gjithë i kishin thënë se nuk ishin dakord.

Ndërsa Abbas Argoun, anëtar i Dhomës së Tregtisë në Teheran, e quajti fiksimin e kursit të këmbimit “një nga gabimet më të mëdha ekonomike të vitit të shkuar”.

Zëvendës ministri i punës, Ali Zaeem, tha se korrupsioni dhe rryshfeti janë një problem madhor në Iran, që shkakton dëme të mëtejshme për ekonominë dhe paralajmëroi se kjo gjë mund ta prishë balancën politike në Iran.

Ai tha: “Për shembull, në ditët e krizës, disa njerëz fitojnë më shumë pushtet ndërsa pushteti i të tjerëve ulet, dhe këto ulje e ngritje do ta largojnë klimën politike nga balanca e duhur, duke sjellë kështu kaos.”

Kjo nuk është shenjë e mirë për Regjimin tani në fillim të vitit të ri iranian dhe shumë njerëz parashikojnë se kjo mund të jetë goditja fatale për mullahët.

Ekonomisti iranian Ali Dini Torkamani shkruan: “Për shkak të një qeverie të dobët dhe një keqmenaxhimi flagrant, shoqëria dhe ekonomia iraniane po luftojnë kundër një fenomeni të quajtur ‘disfatë sistemike’. Ndërtesa është vjetëruar dhe prishur kaq shumë saqë problemet e saj nuk mund të adresohen me mikro-zgjidhje. Shtëpisë i duhet një rinovim themelor.”