EDITORIAL: Kujtimi i Masakrës së 1988-ës e Përndjek Regjimin Iranian, Është Nevoja për Aksion nga OKB

346

 

Publikuar më 20 gusht 2019.

Pas 31 vitesh, masakra e 1988-ës në Iran, e cila çoi te trekëmbëshi mbi 30,000 të burgosur politikë brenda pak muajve, bazuar në një fatwa nga Khomeini, është gjallëruar përsëri si çështje në shoqërinë iraniane.

Dekreti i Khomeini-t urdhëronte ekzekutimin e gjithë të burgosurve politikë të lidhur me Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) të cilët mbeteshin besnikë ndaj organizatës. U formuan ‘Komisione të Vdekjes’ në të gjithë Iranin, të cilat i dënonin me ekzekutim të burgosurit politikë që refuzonin t’i braktisnin besimet e veta. Të burgosurit politikë të lidhur me grupe të tjera u ekzekutuan në një valë të dytë rreth një muaj më vonë. Viktimat u varrosën në varre masive.

Javën e shkuar, të afërmit e viktimave dëshmuan në një program televiziv satelitor të transmetuar live për këtë ngjarje dhe zbuluan sekrete të reja për mënyrën se si i ka munduar dhe vazhdon t’i mundojë regjimi familjet e viktimave për ta mbuluar masakrën. Familjarët ndihen po aq të viktimizuar nga regjimi për më shumë se tre dekada, dhe nuk mund të heshtin më.

Zyrtarët e lartë të regjimit e ndiejnë veten të detyruar ta adresojnë, dhe të përpiqen ta mbrojnë njërin prej krimeve më famëkeqe kundër njerëzimit në kohët tona.

Mullahët donin të pretendonin, pa sukses, se kjo punë i përket historisë tashmë. Por krimet kundër njerëzimit nuk mbeten kurrë vetëm në histori. Ata që janë përgjegjës duhet të sillen përpara drejtësisë, edhe nëse nuk janë më në detyrë.

Por nuk ndodh kështu në Iran.

Vrasësit masivë vazhdojnë të jenë në detyrë dhe kryesojnë Drejtësinë e regjimit e forca të tjera.

Kryegjyqtari i Iranit “raportohet se ka shërbyer në një komitet që ka dhënë urdhër për ekzekutimin jashtëgjyqësor të mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën,” sipas një raporti të 2017-ës për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga Raportuesi Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran.

Një hetim në 2017-ën nga OJQ e quajtur Drejtësi për Viktimat e Masakrës së 1988-ës në Iran (JVMI), me bazë në Londër, zbardhi identitetet e anëtarëve të Komisioneve të Vdekjes. Shumë prej tyre vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në drejtësi apo në qeveri. Këtu përfshihen:

  • Kryegjyqtari:Ebrahim Raisi ishte në 1988-ën Zëvendës Prokuror i Teheranit dhe anëtar i Komisionit të Vdekjes të Teheranit. Ai u bë Kryegjyqtar në mars 2019.
  • Ministri i Drejtësisë:Alireza Avaei ishte Prokurori i Dezfulit dhe anëtar i Komisionit të Vdekjes atje. Tani ai është Ministri i Drejtësisë në kabinetin e Hassan Rouhani-t.
  • Zëvendës-Kryetari i Parlamentit:Abdolreza Mesri ishte anëtar i Komisionit të Vdekjes në Kermanshah. Ai u bë Zëvendës Kryetar i Majlis në maj 2019.
  • Këshilltari i Kryegjyqtarit:Mostafa Pourmohammadi ishte anëtar i Komisionit të Vdekjes në Teheran. Që në 2018-ën, ai është Këshilltar i Kryegjyqtarit.
  • Zëvendës Presidenti i Gjykatës Supreme:Hossein-Ali Nayyeri kryesonte Komisionin e Vdekjes në Teheran. Aktualisht ai është Kryetar i Gjykatës Supreme të Disiplinës për Gjykatësit dhe Zëvendës President i Gjykatës Supreme.
  • Gjyqtar i Gjykatës Supreme: Ali Razini ishte pjesë e Komisionit të Vdekjes në Teheran. Tani ai është kryetar i Degës së 41-të të Gjykatës Supreme.

Mullahët nuk dinë rrugë tjetër përveç kërcënimeve e represionit. Më 25 korrik 2019, në një intervistë me revistën shtetërore Mosalas, Mostafa Pour-Mohammadi e mbrojti masakrën e 1988-ës dhe tha se aktivistët e sapo kapur të PMOI-së do të përballen me ndëshkimin kapital.

Ali Razini tha për uebsitin shtetëror Jamaran më 29 korrik 2019 se vrasjet ishin kryer me shpejtësi nën urdhrat e Khomeini-t për t’iu shmangur “pengesave të burokracive”. Së fundmi, ai rrëfeu në televizionin shtetëror se kishte urdhëruar kryerjen e ekzekutimeve arbitrare të anëtarëve të opozitës në Iranin perëndimor në vitin 1988.

Raportuesja Speciale e mëparshme mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran tha para Asamblesë së Përgjithshme:  “Gjatë viteve, ka dalë një numër i madh raportesh rreth masakrave të 1988-ës. Nëse numri i personave që janë zhdukur dhe ekzekutuar mund të debatohet, ka prova dërrmuese që tregojnë se mijëra persona janë vrarë pa iu nënshtruar procedurave të duhura.”

Derisa të zbardhet e vërteta e plotë për masakrën e 1988-ës dhe autorëve të saj t’u kërkohet llogari, asgjë nuk do ta nxisë regjimin e Iranit që t’i ndalë abuzimet me të drejtat e njeriut.

Teksa Këshilli i të Drejtave të Njeriut përgatitet për seancën e shtatorit, Misionet Diplomatike në Gjenevë duhet ta nxisin Këshillin që të krijojë një komision hetimi mbi masakrën e 1988-ës.

Familjet e viktimave në Iran presin që Raportuesi Special i OKB-së mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, Javaid Rehman, dhe Raportuesi Special mbi promovimin e së vërtetës, Fabian Salvioli, ta hetojnë masakrën e 1988-ës në Iran si pjesë e mandateve të tyre. Ato nxisin gjithashtu Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, që të japë mbështetjen e saj për krijimin e një misioni të pavarur të gjetjes së fakteve lidhur me këtë krim kundër njerëzimit.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë urgjentisht për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë së regjimit.