Një e burgosur politike iraniane, e cila ka qenë në burg për nëntë vjet, dhe që para pak kohësh iu ndaluan vizitat familjare, i ka shkruar së bijës një letër ku i uron 13-vjetorin e lindjes.
Maryam Akbari Monfared shkruan: “E dashur Nazanin: Nuk isha me ty për ditëlindjen tënde të 13-të. E di se tani ti e kupton pse nuk jemi bashkë. E di se ke vuajtur shumë këto nëntë vitet e shkuara. Megjithatë, ne i kemi premtuar njëra-tjetrës se do të buzëqeshim derisa buzëqeshjet t’ua ndriçojnë fytyrat të gjithë fëmijëve të Iranit. I kemi premtuar njëra-tjetrës që t’i mbajmë fort në zemër vizitat e shkurtra, për të gjitha herët që na merr malli për të qenë bashkë. Jemi betuar së bashku se do të mposhtim një përbindësh.”
Letra e Monfared, e cila është shkruar më 6 tetor, shpjegon se si atë e arrestuan, e ndanë nga vajza e saj tre vjeçe, Nazanin, e cila ishte në gjumë në krahët e saj, dhe se sa e dhimbshme është ta festojë ditëlindjen e saj nga prapa xhamit të dhomës së vizitave, e detyruar ta mbajë mend moshën e së bijës përmes vijave në betonin e qelisë së saj.
Ajo shkruan se javën e shkuar, ajo dhe Nazanin kishin folur për ditëlindjen e ardhshme dhe se si të dyja prisnin që ta festonin në dhomën e vizitave të burgut, por kjo gjë iu ndalua mizorisht nga autoritetet e burgut.
Ajo shkruan: “Ishte jashtëzakonisht e vështirë të të thosha se vizita jonë javën tjetër do të anullohej. Zemra ime digjej nga zemërimi dhe urrejtja për [autoritetet], të cilat nuk e kanë për gjë të ta rrëmbejnë buzëqeshjen nga fytyra. Flakët e zemërimit digjen ende brenda meje.”
Monfared u arrestua në dhjetor 2009 gjatë protestave për zgjedhjet e manipuluara. Ajo u dënua me 15 vjet burgim nga Gjykatës Salavati i Gjykatës Revolucionare Dega 15 në qershor 2010, me akuzën e “moharebeh” (armiqësi ndaj Zotit), me premisën se ishte anëtare e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Ajo e mohoi këtë akuzë.
Dy nga vëllezërit e saj janë ekzekutuar në vitet 1981 dhe 1984 si anëtarë të PMOI (MEK), ndërsa një motër e një vëlla më të vegjël u ekzekutuan në vitin 1988 si pjesë e një ekzekutimi masiv të të burgosurve politikë.