Bolton: SHBA Do Sanksione Edhe më të Fuqishme për Iranin sesa Përpara Paktit Bërthamor

440

 

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump thotë që rivendosja e sanksioneve ekonomike kundër Iranit ka patur një “efekt të fuqishëm,” dhe administrata dëshiron të shkojë edhe më larg se masat që kanë qenë në fuqi përpara paktit bërthamor të Iranit të vitit 2015.

John Bolton tha të mërkurën se zyrtarët amerikanë kanë diskutuar me aleatët se çfarë mund të bëhet tjetër për të arritur “presionin maksimal” mbi Iranin, duke përfshirë sanksione të mëtejshme dhe masa të tjera të paspecifikuara.

“Pakti bërthamor i Iranit i ka zbutur efektet e keqmenaxhimit të ekonomisë dhe i ka dhënë regjimit forca të reja,” tha Bolton. “I ka dhënë këtij regjimi që ka qenë banka qendrore e terrorizmit ndërkombëtar që në vitin 1979, asete të reja të cilat mund t’i përdorë për programin e tij të armëve bërthamore, për programin e raketave balistike, për veprimtaritë e mbështetjes ndaj terrorizmit, për veprimtaritë e tij ushtarake konvencionale.”

Ai ka paralajmëruar gjithashtu Presidentin sirian Bashar al-Assad që të mos kryejë sulme të mëtejshme me armë kimike.