Saturday, September 7, 2024

bi 1M Njerëz Kërkojnë Lirimin e Avokates Iraniane të të Drejtave të Njeriut

Nga Hamideh Taati

Mbi një milion njerëz nga 200 shtete e territore kanë firmosur një peticion të Amnesty International për të shprehur zemërimin e tyre ndaj dënimit të avokates iraniane të të drejtave njerëzore, Nasrin Sotoudeh, me 38 vite e gjysëm burg dhe 148 goditje me kamxhik, pas dy proceseve gjyqësore jashtëzakonisht të padrejta, si dhe për të kërkuar lirimin e saj të menjëhershëm e pa kushte.

Për të shënuar një-vjetorin e arrestimit të Sotoudeh, Amnesty po organizon një shpërndarje globale të firmave tek ambasadat iraniane në mbarë botën, sipas grupit.

Philip Luther, Drejtor i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, ka thënë: “Dënimi mizor që i është dhënë Nasrin Sotoudeh për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe për qëndrimin e saj kundër ligjeve diskriminuese e poshtëruese të Iranit lidhur me mbulimin e detyrueshëm, ka tronditur gjithë botën. Padrejtësia e rastit të saj ka prekur zemrat e qindra mijëra njerëzve të cilët, në një shfaqje prekëse solidariteti, e kanë ngritur zërin për të kërkuar lirinë e saj.”

Ai vazhdoi: “Shpresojmë që mbështetja për fushatën e Amnesty International t’i tregojë Nasrin Sotoudeh se, pavarësisht se po përballet me një sprovë tejet të dhimbshme, ajo nuk është vetëm.

Rasti i Sotoudeh është pjesë e masave më të gjera shtypëse të marra nga autoritetet iraniane gjatë dy-tre viteve të fundit në përpjekje të dëshpëruar për të mbytur zërat e atyre që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend.

Sotoudeh, e cila ka bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, duke përfshirë kundërshtimin ndaj ligjeve diskriminuese të mbulimit të detyruar dhe ndaj dënimit me vdekje, është dënuar me të paktën 17 vite burg nën udhëzimet e regjimit iranian lidhur me dënimet.

Ajo u arrestua më 13 qershor 2018 dhe u ngarkua me akuza të mjegullta lidhur me sigurinë kombëtare. Në mars 2019, e dënuan me 33 vite e gjysëm burg dhe 148 goditje për punën e saj në mbrojtje të të drejtave njerëzore.

Ky dënim iu shtua një dënimi tjetër me pesë vite burg që i ishte dhënë në një çështje tjetër gjyqësore, gjithashtu e lidhur me punën e saj për të drejtat e njeriut, në shtator 2016.

Deri më 10 qershor, peticioni i Amnesty ishte firmosur nga 1,188,381 njerëz gjithsej.