Thursday, March 28, 2024

Anëtari i Komisionit të Vdekjes në Teheran Emërohet Shef i Drejtësisë

Një nga personat përgjegjës për masakrën iraniane të të burgosurve politikë në 1988-ën është emëruar si Shefi i ri i Drejtësisë nga Lideri Suprem Ali Khamenei.

Ebrahim Raisi, i cili zëvendëson Sadeq Amoli Larijani, ka qenë pjesë e Komisionit të Vdekjes në Teheran së bashku me Ministrin e mëparshëm iranian të Drejtësisë, Mostafa Pour Mohammadi, dhe ka varur dhjetëra mijëra të burgosur politikë vetëm sepse kanë refuzuar ta tradhëtojnë lidhjen e tyre politike me grupin opozitar, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Emërimi i Raisi-t, i cili ishte zgjedhja e Khamenei-t për president në 2017-ën dhe është parashikuar si pasues i mundshëm i tij, u konfirmua të dielën nga zëdhënësi i Drejtësisë së Iranit, Gholamhossein Mohseni Ejei, ndërsa Yahya Kamalipour, një anëtar i komitetit gjyqësor të Parlamentit, ka thënë se Raisi do të prezantohet zyrtarisht të enjten, më 7 mars. Ky emërim është për një periudhë pesë-vjeçare, dhe mund të rinovohet.

Komitetet e Vdekjes dhe Gjyqet False

Këto Komitete të Vdekjes u formuan në 1988-ën pasi Lideri Suprem i atëhershëm Ruhollah Khomeini nxori një fatwa që kërkonte eliminimin e gjithë të burgosurve politikë MEK. Ata zhvilluan gjyqe false që zgjasnin mesatarisht tre minuta, shpesh me vetëm një pyetje: A beson ende në Muxhahedin? Rreth 30,000 dënime me vdekje u dhanë e u kryen në mbarë Iranin brenda vetëm pak muajsh.

Raisi, Zëvendës Prokurori i Teheranit në 1988-ën, është identifikuar nga shumë të mbijetuar si një nga personat kryesorë të përfshirë në urdhërimin e ekzekutimeve dhe është përmendur madje nga ish-zëvendësi i Khomeini-t, Ajatollah Hossein-Ali Montazeri, në memuarin e tij.

Në një regjistrim audio të vitit 1988, Montazeri mund të dëgjohet teksa e kundërshton masakrën, duke vënë në dukje se historia do t’i “dënojë” mullahët për këto krime. Atij iu hoq pushteti dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës në arrest shtëpie.

Në vijim të publikimit të atij regjistrimi në 2016-ën, Pour Mohammadi u mburr se ishte “krenar” që kishte qenë në Komisionin e Vdekjes dhe nuk kishte ndenjur ndonjëherë pa gjumë për rolin e tij në vdekjen e mijëra njerëzve. Javën e shkuar, në një intervistë televizive, ai tha se publikimi i komenteve të Montazeri-t nga djali i Montazeri-t, Ahmad, është një “akt tradhëtie” ndaj Revolucionit, Khomeini-t, dhe Montazeri-t.

Pourmohammadi tha: “Epo, unë e mbroj veprimin [e Khomeini-t]. Kishim një mision në lidhje me [MEK], atëherë kur unë isha prokurori i Gjykatës Revolucionare. Nxora shumë padi kundër [MEK] dhe i dërgova në gjykatë. Shumë prej tyre u dënuan, shumë u ekzekutuan dhe pati shumë vendime të tjera.”