Amnesty International: Të paktën 1000 protestues iranianë të arrestuar rrezikohen të torturohen

408

“Autoritetet iraniane duhet të sigurojnë të drejtën për protestë paqësore, të hetojnë të dhënat që forcat e sigurisë kanë përdorur në mënyrë të paligjshme armët e zjarrit kundër protestuesve të paarmatosur dhe të mbrojnë qindra të burgosur nga tortura”, tha Amnesty International sot ndërkohë që goditja kundër demonstratave në vend vazhdon.

Organizata për të Drejtat e Njeriut tha: “Më shumë se 1000 njerëz janë arrestuar dhe mbajtur në burgje të njohura për tortura dhe keqtrajtime të tjera gjatë shtatë ditëve të fundit, ku shumë vetëve iu është mohuar takimi me familjet dhe avokatët e tyre”.

Philip Luther, Drejtor i Hulumtimit dhe Mbrojtjes në Lindjen e Mesme i Amnesty International, tha: “Të gjithë të ndaluarit duhet të mbrohen nga torturat dhe keqtrajtime të tjera”.

Philip Luther shtoi: “Autoritetet iraniane kanë një histori të tmerrshme të kryerjes së arrestimeve masive arbitrare të demonstruesve paqësorë.

 “Protesta paqësore është një e drejtë dhe shumë njerëz në Iran dëshirojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë. Në vend që të zgjedhin represionin dhe të akuzojnë në mënyrë absurde protestuesit për bashkëpunim në komplote të orkestruara nga jashtë, autoritetet iraniane duhet të shohin historikun e tyre të mosrespektimit të një sërë të drejtash civile, politike, ekonomike dhe sociale “.