Amnesty International nis fushatën e Veprimit Urgjente për të ndaluar ekzekutimin e gruas së re në Iran

297

E mërkurë, 12 tetor 2016

 “Autoritetet iraniane duhet të ndalojnë urgjentisht ekzekutimin e planifikuar të Zeinab Sekaanvand-it, një grua 22-vjeçare iraniano-kurde, e arrestuar kur ishte 17 vjeç dhe dënuar për vrasjen e bashkëshortit të saj, pas një gjyqi veçanërisht të padrejtë”, tha të martën Amnesty International.

“Ekzekutimi i saj me varje parashikohet të bëhet këtë të enjte (13 tetor). Amnesty dhe mbështetësit e saj kanë nisur fushatën për një ‘Veprim Urgjent’ në emër të Sekaanvand-it, duke dërguar ankesa urgjente për rastin tek autoritetet iraniane,” thoshte deklarata.

Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes së Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Philip Luther, tha: “Ky është një rast jashtëzakonisht shqetësues. Zeinab Sekaanvandi jo vetëm ishte nën 18 vjeç në kohën e krimit, por asaj i është mohuar edhe aksesi  i një avokati dhe ajo thotë se pas arrestimit është torturuar prej policëve meshkuj përmes rrahjeve në të gjithë trupin”.

“Përdorimi i vazhdueshëm i dënimit me vdekje ndaj të miturve në Iran tregon përbuzjen e autoriteteve deri edhe për angazhimet që ata vetë kanë nënshkruar.

“Autoritetet iraniane duhet ta shfuqizojnë menjëherë dënimin e Zeinab Sekaanvand-it dhe t’i bëjnë asaj një rigjykim të drejtë, pa iu drejtuar dënimit me vdekje.”

Më 9 tetor, Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës të Iranit tha në një deklaratë: “Zeinab Sekaanvandi vjen nga një fshat afër Makout (Provinca e Azerbajxhanit verior, në veriperëndim të Iranit). Atë e detyruan të martohej kur ishte 15 vjeç  për shkak të varfërisë së familjes së saj. Pas dy vjet jete të dhimbshme, ajo u arrestua në moshën 17 vjeç me akuzën për vrasjen e bashkëshortit të saj.

“Pas pesë vjet burgimi, më 3 tetor, Zeinabi është njoftuar për dënimin me vdekje dhe që atëherë është në korridorin e vdekjes.”

Komiteti i Grave të Këshillit Kombëtar të Rezistencës të Iranit iu kërkon të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e grave që të ndërmarrin veprime urgjente për të shpëtuar jetën e Zeinab Sekaanvand-it e cila rrezikohet me ekzekutim të shpejtë.