Unioni i American Teamsters (shoferëve amerikanë të kamionëve) ka shprehur mbështetjen e tij për shoferët grevistë në Iran, për të dytën herë këtë vit në një letër të hapur drejtuar Zëvendës Drejtorit të interesave të Iranit në SHBA, Abolfazl Mehrabadi dhe i ka bërë thirrje Regjimit Iranian që t’ua vërë veshin kërkesave të punëtorëve grevistë.
Vëllazëria Ndërkombëtare e Shoferëve të Kamionëve, e cila ka 1.4 milion anëtarë në SHBA dhe Kanada, ka publikuar letrën e saj, të shkruar nga Presidenti i Përgjithshëm James P. Hoffa, në Twitter, duke përdorur hashtag-un #SupportIranTruckers (Mbështesni Shoferët Iranianë).
Letra lexon: “I bëjmë thirrje qeverisë së Iranit që t’ua vërë veshin ankesave të shoferëve iranianë të kamionëve, të cilët janë në grevë, t’i marrë në konsideratë kërkesat e tyre të drejta, dhe t’i njohë të drejtat e tyre të njohura ndërkombëtarisht për mbledhje, fjalë, liri shoqërimi dhe negociatash kolektive.”
Shoferët e kamionëve kanë qenë në grevë që nga 22 shtatori dhe protesta e tyre tani është përhapur në mbi 290 qytete dhe 31 provinca. Ata bëjnë grevë për shkak të kushteve të këqija të punës, duke përfshirë pagesën e ulët, kostot e rritura operative dhe tarifat e përdorimit të rrugëve, refuzimin e Regjimit për të njohur të drejtën e punëtorëve për të krijuar një union, rrugët e pasigurta, si dhe paaftësinë e Regjimit për t’ua plotësuar kërkesat bazë.
Në letër shkruhet: “Greva është gjithashtu rezultat i faktit që shoferëve iranianë nuk u dëgjohet zëri në vendimet që ndikojnë në jetesën e tyre.”
“Teamsters” e shprehën për herë të parë mbështetjen e tyre për shoferët grevistë iranianë në maj, gjatë raundit të parë të grevave, por kanë mësuar nga grevistët se gjërat nuk janë përmirësuar.